Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale ka sqaruar çështjet e testit të maturës.

Ministrja u shpreh se në testin e maturës nuk do të ketë pyetje për mësime që janë zhvilluar gjatë karantinës.

Sipas ministres, zhvillimi i mësimit në kushte shtëpie është i vështirë dhe për pasojë është vendosur që ato të hiqen nga testi i maturës.

“Siç ju kemi njoftuar, në testin e maturës nuk do të ketë pyetje, të cilat janë mbuluar gjatë kohës që kemi mësuar në kushte shtëpie. Pra, në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, si dhe nga klasa e 12-të për temat që janë zhvilluar sa kemi qenë ende duke mësuar në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë që zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë. Jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Ndaj që të jemi të drejtë, kemi vendosur që t’i heqim këto nga testi i maturës”, ka përsëritur Ministrja Shahini./tvklan.al