Dendias shpalos në parlament programin e politikës së jashtme

Politika e jashtme greke vazhdon ta kushtëzojë hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, me minoritetin grek. Kjo është deklaruar nga Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë prezantimit në parlament të programit të qeverisë, të hënën pasdite.

“Shqipëria vazhdon të mos përmbushë detyrimet në raport me të drejtat minoritare dhe pronësore të minoritetit etnik grek. Prandaj, në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë (për çka BE ka shtruar kushte të qarta), do të vazhdojmë të mbikëqyrim ngushtësisht përmbushjen nga Shqipëria të pesë kritereve bazike. Do të vazhdojmë të mbikëqyrim ngushtësisht respektimin me vepra të të drejtave të njeriut. Për gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë të drejtat e pronës të minoritetit autokton grek”.

Pavarësisht kundërshtimit të manifestuar nga pozicioni i opozitës, qeveria e re greke, duket se ka ndryshuar qasje për marrëveshjen e Prespës.

“Qëllimi ynë është që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të pakësuar pasojat negative të marrëveshjes. Do të synojmë thellimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, në kuadër të bashkëpunimit me dobi reciproke. Mirëpo nuk do të tolerojmë fenomene të mosrespektimit të plotë të marrëveshjes”.

Pas debatit parlamentar që ka filluar të shtunën, qeveria e Kyriakos Mitsotakisit pritet të marrë votëbesimin mesnatën e të hënës.

Tv Klan