Veliaj: Brenda verës hidhet shorti për shtëpitë e reja

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e familjeve të Kombinatit, që përfitojnë bonus qiraje pasi banesat e tyre u prekën nga procesi i rindërtimit prej tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës. Vonesat në këtë proces, sipas Kryebashkiakut Erjon Veliaj, kanë ardhur për shkak të proceseve gjyqësore nga partitë politike, të cilat ai tha se bashkia i ka fituar të gjitha.

“Kemi pasur disa procese gjyqësore. Fatmirësisht i kemi fituar të gjitha. Ndoshta, një mesazh për të gjitha partitë politike që investohen në këto bllokime: Nuk bllokohet Bashkia e Tiranës. 99% e qytetarëve shkojnë në shtëpitë e tyre, është vetëm ky 1% që është pa shtëpi, që duke u vërtitur gjyqeve me njëri-tjetrin, hasin pengesa të panevojshme”.

Pas kapërcimit të pengesave në dyert e gjyqësorit, Veliaj tha se shumë shpejt do të hidhet shorti për ndarjen e apartamenteve për familjet e prekura.

“Kemi një projektvendim për miratimin e pagesës së qirasë, sipas vlerës së tregut të lirë, për individë dhe pasuritë e tyre që preken nga shpronësimi për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit. Brenda verës, ne do të hedhim shortet për gjitha shtëpitë e Kombinatit, që si “5 maji”, si Kombinati, pjesa e tërmetit të jetë mbyllur dhe pastaj të shqetësohemi për pjesën e shpronësimeve, që mund të jenë dyqane apo le të themi njësi biznesi, që kanë qenë në ato territore që do të kompensohen më pas metër katror për metër katror”.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe listën e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe ato që trajtohen me subvencionin e qirasë.

Tv Klan