Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja

Familjet që u prekën nga procesi i rindërtimit në Kombinat, do të kenë mundësi të marrin bonusin e qirasë. Buxheti për ta është miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

“Kemi pasur disa procese gjyqësore. Fatmirësisht i kemi fituar të gjitha. Ndoshta, një mesazh për të gjitha partitë politike që investohen në këto bllokime: Nuk bllokohet Bashkia e Tiranës. 99% e qytetarëve shkojnë në shtëpitë e tyre, është vetëm ky 1% që është pa shtëpi, që duke u vërtitur gjyqeve me njëri-tjetrin, hasin pengesa të panevojshme”.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se brenda verës do të hidhet shorti për banesat e reja.

“Kemi një projektvendim për miratimin e pagesës së qirasë, sipas vlerës së tregut të lirë, për individë dhe pasuritë e tyre që preken nga shpronësimi për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit. Brenda verës, ne do të hedhim shortet për gjitha shtëpitë e Kombinatit, që si “5 maji”, si Kombinati, pjesa e tërmetit të jetë mbyllur dhe pastaj të shqetësohemi për pjesën e shpronësimeve, që mund të jenë dyqane apo le të themi njësi biznesi, që kanë qenë në ato territore që do të kompensohen më pas metër katror për metër katror”.

Këshilli miratoi dhe listën e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe ato familje në nevojë që trajtohen me subvencionin e qirasë pasi nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë.

Klan News