“Marrëdhëniet e Turqisë me Europën varen nga Greqia”

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shpreh nevojën për një takim me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për uljen e tensioneve mes dy vendeve.

“Një takim me Presidentin turk do ta zhvillojmë, por nuk jam në gjendje të them se kur. Takimi do të ndodhë pasi duhet të komunikojmë, besoj në një të ardhme të afërt”.

Në një intervistë televizive, Mitsotakis vlerësoi edhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias për qëndrimin e mbajtur në takimin e javës së kaluar me homologun turk në Ankara që u karakterizua nga tone aspak miqësore mes dy palëve.

“I kërkova të mos lerë pa përgjigje asnjë sfidë. Çështjet u parashtruan me ndershmëri e qartësi. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë përcaktojnë ato që Turqia ka me Europën”.

Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet vetëm një zgjidhje që bazohet në ligjet ndërkombëtare për mosmarrëveshje si ato për Mesdheun Lindor e Detin Egje.

Tv Klan