Viti i Ri do të thotë, punë për të gjithë punonjësit që janë në shërbim të qytetarëve. Në gatishmëri nuk do të jenë vetëm forcat e policisë, por edhe mjekët e urgjencave, spitaleve dhe materniteteve. Në urgjencë mjekësore do të punohet pa ndërprerje.

Shefi i urgjencës Emanuel Dungu thotë: “Urgjenca mjekësore e qytetit të Tiranës, me gatishmërinë e saj në periudhën 31 Dhjetor, 1, 2, 3 Janar që janë ditët më të ngarkuara, ku njerëzit prishin dietat dhe kanë edhe probleme, ka një gatishmëri të lartë ku organizimi është bërë për turnet 24 orë pa ndërprerje.

Ku për çdo turn janë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës 6 mjekë, 4 infermierë dhe 3 makina, ndërkohë numri i telefonit që është në gatishmëri është 22235. Urgjenca mjekësore e Tiranës, është pajisur edhe me medikamente shtesë për këtë periudhë, për t’i ardhur në ndihmë menjëherë qytetarëve për çdo lloj rasti. Qytetarët e Tiranës e kanë në dispozicion numrin e urgjencës.”

Po kështu edhe në dy maternitetet do të punohet pa ndërprerje në pritje të lindjeve të reja. Ndërkohë që në gatishmëri e kanë ditën e sotme edhe 120 punonjësit e shërbimit elektrik, të cilët do të jenë në kontakte të vazhdueshme me nënstacionet nga vjen energjia, për të shmangur në çdo rast defektet që mund të lënë pa drita qytetarët e Tiranës./tvklan.al