Mjekimi i gabuar dhe mungesë testimesh, çfarë po ndodh me situatën e pandemisë

Mjekimi i gabuar dhe mungesë testimesh, çfarë po ndodh me situatën e pandemisë

21:15 17/11/2020

Kozeta Bajrami ka denoncuar sot në emisionin “Stop” në Tv Klan se e ka kaluar COVID në shtator 2020 dhe është kuruar me antibiotik Azitromicinë, pasi e ka kaluar sëmundjen.

Ajo tregon se e ka kaluar COVID-19, pa ilaçe pasi tamponi iu bë me shumë vonesë dhe përgjigja po ashtu i erdhi një javë më vonë. Por dhe pse ishte shëruar, qytetares i është thënë që të merrje antibiotik.

Qytetarja: Jam Kozeta Bajrami, banoj në Tiranë. Në muajin shtator kam kaluar COVID dhe kam ndenjur 21 ditë në karantinë. Në fillim ka nisur si dhimbje fyti, laringu. Pastaj bëra analizën, tamponin. Tamponin e bëra pas 1 jave. Pastaj, pas një jave tjetër, doli përgjigja, që unë isha pozitive, që kishin kaluar mbi 15 ditë. Atëherë më kanë thënë, që je pozitive. 15 ditë temperaturën e kam patur 37.

Dhimbje koke jo. Thjesht kam qenë e këputur, siç është gripi normal. Pastaj mbas 5 ditëve të tjera, kisha, që më humbi ajo nuhatja, shija.

Gazetarja: Çfarë kure keni marrë?

Atëherë, kur dola pozitive mbas 15-16 ditëve, që unë e kalova në shtëpi, jam kuruar vetëm me vitaminën D. Vitaminën D e merrja vetë, jo se ma dhanë mjekët. Me Azitromicinën, ma dhanë pas 15 ditësh, kur unë e kisha kaluar COVID. Azitromicinë 500 mg, më kanë dhënë me pi.

Ishte një mjek i 127-ës, nuk prezantoheshin me emër. Ajo më tha, që do ta pish Azitromicinën, sepse e kemi si obligim, kush është me COVID.

Gazetarja: Po mjeku i familjes ta dha këtë ilaç?

Qytetarja: Mjeku i familjes më tha për diçka tjetër.

Gazetarja: E ka aprovuar marrjen e këtij antibiotiku?

Qytetarja: Po më tha nuk ka problem, merr azitromicinën, sepse kush është me COVID duhet ta pijë patjetër këtë.

Gazetarja: Ndërkohë ti e kishe kaluar virusin?

Qytetarja: Po, po, e kisha kaluar.

Gazetarja: Sa kushtonte?

Qytetarja: Tani te kutia di, që kishte 3 kokrra. Ishte i shtrenjtë. Bënte 6 mijë lekë tre kokrra. Në kokrrën e dytë, që kam pirë Azitromicinën, mua më ka filluar diarreja, gjë që nuk e kisha më parë.

Pas këtij denoncimi, në “Stop” ka ardhur dhe një denoncim tjetër nga Berat për situatën e tamponëve në këtë qytet. Testet në Berat janë në numër shumë të kufizuar dhe personeli i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor thotë, se nuk mund t’ia bëjë tamponin kujtdo, që ka shqetësime, pasi do testohen të parët mësuesit e nxënësit. Sa për të tjerët, ata duhet të rrinë në shtëpi.

Qytetari: Si kaluat?

OSHKSH Berat: Mirë! Si jeni ju?

Qytetari: Laura?

OSHKSH Berat: Po!

Qytetari: Erdha të pyes për tamponin. Si i bëhet?

OSHKSH Berat: Vjehrri, ça ka vjehrri?

Qytetari: Po ka këto shqetësimet e përgjithshme. I ka ikur shija e këto, ka temperaturë e kështu.

OSHKSH Berat: Procedura është: lidhet me mjekun e familjes. Nëse mjeku ta gjykon të arsyeshme…

Qytetari: Po!

OSHKSH Berat: Bërjen e tamponit e referon për tampon dhe do t’ju telefonojmë ne, se kur mund të kemi planifikim për tamponët, se tamponët janë numër shumë i kufizuar dhe po bëhen rastet urgjente, po bëhen mësuesit, që venë në mësim dhe i japin nxënësve dhe këta, që janë në mjedise të mbyllura. Pastaj do bëhet me ju. Prandaj të them, që fol me mjekun e familjes, si është gjendja! Fol me mjekun e familjes!

Qytetari: Dhe mbas mjekut të familjes, në qoftë se më jep ok!, domethënë vonon 2-3 ditë?

OSHKSH Berat: Në qoftë se mjeku e referon me numër telefoni, do ju njoftojmë ne me atë numër, që ju do deklaroni, që hajdeni bëni tamponin!

Qytetari: Po mos na vononi, kjo është ideja!

OSHKSH Berat: Të thashë varet domethënë nga urgjencat, sesi është, sepse nëse unë kam një mësues me simptoma dhe vjehrrin tënd, unë do ia bëj mësuesit, nuk do ia bëj atij.

Qytetari: Po si.., vjehrri im 68-vjeç?

OSHKSH Berat: Po në shpi është ai?

Qytetari: Po, në shpi, po!

OSHKSH Berat: Ne duam të ruajmë pjesën, që janë më të brishtë, pjesën e fëmijëve!

OSHKSH Berat: Shiko është edhe diçka: tamponi vonohet 5-6 ditë përgjigja.

OSHKSH Berat: Mos them një javë, jo 5-6 ditë.

OSHKSH Berat: Kështu që atij nuk i bën dobi domethënë, si e bëri tamponin, si nuk e bëri. Rrezik është për ju, që jeni familjarë, në qoftë se ai është pozitiv, apo jo. Ndërkohë ai duhet të marri mjekimin, në qoftë se ka simptomat!

Qytetari: Ai i izoluar është.

OSHKSH Berat:  Po mirë, ai i izoluar, të marri mjekimin, të kontrollohet dhe pastaj doktoresha, në vazhdim të simptomave, që ai mund të ketë, të këshillojë për tampon, apo jo edhe kur ai referon, thotë ky rast është urgjent, merret nesër tamponi. Kaq!/tvklan.al





Të ngjashme