Një modele ruse pretendon se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka tentuar ta helmojë me bar miu. Modelja, e cila jeton në Britani të Madhe, ka thënë për “The Sun” se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë objekt i një sulmi në Salisbury të Londrës.

Anna Shapiro 30 vjeç dhe bashkëshorti Alex King 42 vjeç kishin porositur ushqim në një piceri. Më pas, bashkëshorti i modeles ishte ndjerë keq dhe kishte shkuar në tualet. 30-vjeçarja thotë se e gjeti burrin të shtrirë në tokë duke nxjerrë shkumë nga goja. Me ndihmën e një kamarieri, u munduan ta ndihmonin dhe njoftuan ambulancën. Sipas modeles, ajo dhe kamarieri shkuan gjithashtu në spital me një tjetër ambulancë.

“Nuk e pashë Alexin përsëri. E kishin futur në koma. Ndërsa mua dhe kamarierit të picerisë na thanë që të zhvisheshim dhe të bënim dush, përpara se t’u nënshtroheshim disa analizave”

, tregon Anna. Të nesërmen ajo u dërgua në një hotel dhe mbahej vazhdimisht nën vëzhgim nga policia.

Autoritetet britanike dyshojnë se çifti mund të jetë helmuar me bar miu. Tashmë bashkëshorti i saj është në gjendje të stabilizuar, megjithatë mjekët nuk janë shumë të sigurt rreth shëndetit të tij.

Ky është sulmi i dytë i ngjashëm që ka ndodhur në Salisbury, pas atij ndaj Skripalëve që u helmuan me gaz nervor pak muaj më parë. At e bijë ndodhen jashtë rrezikut, dhe për sulmin ndaj tyre Britania akuzoi Moskën.

/tvklan.al