Mohimi i krimeve të luftës nga Serbia ka shtyrë institucionet e Kosovës që të ndërmarrin një sërë iniciativash. Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli u ka dërguar letër parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar prej tyre hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar i krimeve kundër njerëzimit në Kosovë.

Veseli do të kërkojë nga vendet mike të dënojnë çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohore evropiane.

Iniciativën e Veselit e ka mirëpritur edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se në këso raste duhet të jemi unik dhe se në Kosovë kanë ndodhur krime makabre.

Ndërsa zv/Kryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri kanë njoftuar për hapat që kanë ndërmarrë për hartimin e një projektligji për parandalimin e mohimit të krimeve të luftës.

“Mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë është krim i dyfishtë ofendim ndaj familjeve, shtetit dhe shoqërisë së Kosovës dhe në draftimin e këtij ligji ne do marrim për bazë përvojat më të mira evropiane se si në kulturën evropiane ligjore e politike janë parandaluar rastet e tilla të mohimit të krimeve dhe kemi studiuar se si shtetet si Austria, Belgjika etj. e rregullon me ligj një përpjekjet të çdokujt që mohonin krimin që ka ndodh në atë kohë”.

Krerët e shtetit serb dhe ish-ministri serb në qeverinë e Kosovës kanë mohuar masakrat në Kosovë. Lidhur me këtë janë deklaruar edhe miqtë ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e Amerikës dhe atë të Britanisë së Madhe, të cilët kanë thënë se mohimi i mizorive të luftës në Kosovë ofendon kujtimet për viktimat dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumë etnik.

Tv Klan