Hedhja e molotovëve dhe përplasja me forcat e rendit në protestën përpara Bashkisë së Tiranës ka nxitur menjëherë reagimin e selive kryesore diplomatike në vend.

Në një deklaratë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënohen aktet e dhunës duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk ka vend për akte të tilla që duhet të refuzohen nga aktorët politikë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, deklaroi ambasada amerikane.

Edhe zyra e Bashkimit Europian në Tiranë i dënoi incidentet që ndodhën gjatë protestës.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, deklaroi delegacioni i BE.

Ka reaguar edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë që thotë se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës dhe përdorimi molotovit nuk kanë vend në demokraci.

Ambasada Britanike thotë se dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit dhe vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit.

Një reagim bëri edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri që gjithashtu dënon aktet e dhunës gjatë protestës përpara Bashkisë. “Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, thuhet në reagim.

Tv Klan