Alvaro Morata, ishte një nga afrimet e Milanit në merkaton e verës dhe është kthyer menjëherë në një lider.

Sulmuesi spanjoll, ka folur për “Sky Sport”, ku deklaroi se po pret me padurim derbin ndaj Interit dhe të festojë golin aty.

Morata zbuloi se ka ndjekur nga afër një ndeshje mes Milanit dhe Interit, i maskuar dhe aty ka kuptuar si përjetohet kjo përballje.

“Kam ardhur disa herë në “San Siro”, për të parë derbin si tifoz, me kapele dhe syze të zeza, për të mos më njohur. Doja ta ndjeja nga afër atë atmosferë dhe nga jashtë e kupton sesa e rëndësishme është kjo ndeshje. Po pres me padurim të festoj gol në derbi.

Mezi pres të luaj në derbin e Milanos dhe ndoshta ta fitoj atë, për t’i bërë tifozët kuqezi të ndihen krenarë. Interi është skuadër e fortë, por duhet të luajmë me zemër. Mund të humbisni, mund të gaboni një pasim apo rast për shënim, por duhet të japësh gjithçka në fushë. Në një derbi duhet të jesh i uritur dhe kjo nuk duhet të mungojë kurrë.”, deklaroi Morata.

Derbi i parë i këtij sezoni në Serinë A, mes Milanit dhe Interit, është planifikuar të luhet më 22 shtator. /tvklan.al