Morën peng grekun, policia konfiskon pasuritë e 3 të rinjve

Foto ilustruese

Morën peng grekun, policia konfiskon pasuritë e 3 të rinjve

12:26 10/08/2020

Policia ka konfiskuar disa apartamente në pronësi të 3 të rinjve, të cilët janë subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

“Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për vendosjen e konfiskimit të katër apartamenteve dhe 1 automjeti, konkretisht:

–  një apartament në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit Ç. A., 37 vjeç, banues në Kraps, Fier.

– dy apartamente në lagjen nr. 13, Durrës, në pronësi të shtetasit K. L., 32 vjeç, banues në Banaj, Fier.

– një apartament në lagjen nr. 13, Durrës dhe automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit M. H., 29 vjeç, banues në Frakull, Fier”, thuhej në njoftimin e policisë.

Apartamentet e konfiskuara dyshohet se janë përftuar nga ata nëpërmjet veprimtarisë kriminale në shtetin grek. Në bashkëpunim me njëri tjetrin, në datën 02.05.2011, ata kanë rrëmbyer një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private  dhe u kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro.

Policia thotë se po vijon hetimet për zbulimin e pasurive të  tjera që mund të jenë në emër të këtyre të rinjve, familjarëve apo personave të tjerë të lidhur me ta./tvklan.al




Të ngjashme