9500 vatra të aktivizuara prej një jave në Amazonë

Pyjet e Amazonës janë përfshirë nga një numër rekord vatrash zjarri gjatë 7 ditëve të fundit. Mbi 9500 vatra kanë përfshirë atë që konsiderohet si mushkëria e gjelbër e globit, duke vendosur një rekord historik. Vatrat janë aq të mëdha saqë duken edhe nga hapësira.

Flakët kanë përfshirë mijëra hektarë pyje dhe kanë krijuar një re të dendur tymi e dioksidi karboni, e cila ka lëvizur 2700 kilometra drejt oqeanit Atlantik dhe ka mbuluar edhe Rio de Zhaneiron.

Statistikat tregojnë se numri i vatrave të zjarrit këtë vit është rritur me 85% krahasuar me vitin e kaluar. Nga Janari e deri më tani janë regjistruar mbi 72 mijë vatra.

Presidenti Zhair Bolsonaro tha se Brazili e ka të pamundur të menaxhojë atë që ai e quan një situatë të jashtëzakonshme, për të cilën thotë se është shkaktuar nga grupime të huaja që janë kundër programit të tij politik të ekstremit të djathtë.

Tv Klan