Veliaj: T’i kthejmë sytë tek bujqësia

Nga 1 Janari të gjithë fermerët do ta përfitojnë karburantin me gjysmë çmimi. Kryebashkiaku i Tiranës dhe Ministrja e Bujqësisë u takuan me administratorët e zonave rurale dhe drejtues të bujqësisë ku diskutuan për skemën.

“Para pesë vitesh, jo vetëm që nuk flitej për bujqësinë, por Bashkia e Tiranës nuk kishte asnjë kompetencë në këtë fushë. Pas reformës administrative dhe krijimin e ‘Tiranës së madhe’, ky koncept është transformuar tërësisht. Është momenti më i mirë për të njoftuar këtë risi, thuajse përgjysmimin e çmimit të naftës: që do të thotë se ajo që shkonte më parë për taksa dhe akciza, tani merret si produkt”.

Veliaj theksoi se kjo nismë e kthen bujqësinë në prioritet.

Sot, Tirana ka jo vetëm numrin më të madh të agroturizmeve dhe serave, por edhe aksesin më të madh në tregun një milionësh të konsumatorëve”.

Mënyra se aplikimit për të përfituar nga kjo skemë është mjaft e thjeshtë.

“Hyn në sistem me ID, bën aplikimin me nr. NIPT-i zyra e tatimeve e aktivizon menjëherë. Bëhet kontrollimi i përputhshmërisë së dokumenteve, fermeri kualifikohet dhe merr nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor kartën e naftës falas, të cilën e tërheq në çdo pikë karburanti”.

Përmes kësaj skeme, çdo fermeri që punon tokën, i llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqen e deklaruar. Për atë sasi nafte përllogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet dhe do të konvertohet në sasi nafte, që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer.

Tv Klan