Një gjykatëse në Gjykatën Supreme të SHBA-së ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare për shkak të kancerit. Ruth Bader Ginsburg konsiderohet nga ekspertët si kampione e të drejtave të grave. Ginsburg vdiq të premten në Uashington. Më herët gjatë këtij viti, gjyqtarja kishte lajmëruar se po merrte kimioterapi për shkak të kancerit.

Ajo ishte një feministe e shquar dhe u bë figura kryesore e liberalëve në SHBA. Ginsburg ishte gjyqtarja më e vjetër dhe gruaja e dytë e ulur në Gjykatën Supreme, ku shërbeu për 27 vjet.

“Kombi ynë ka humbur një juriste historike. Ne në Gjykatën Supreme kemi humbur një kolege të jashtëzakonshme. Sot jemi në zi, por me besimin se gjeneratat e së ardhmes do ta kujtojnë Ruth Bader Ginsburg siç e njohëm ne, një kampione të vërtetë dhe ta palodhur të drejtësisë”, tha kryegjyqtari suprem John Roberts në një deklaratë.

Shëndeti i Ginsburg ishte në monitorim nga ekspertët për shkak se ajo ishte një prej 4 liberalëve në gjykatë. Vdekja e saj ka rritur shpresat e Trump për të shtuar shumicën konservative që përpara zgjedhjeve të Nëntorit.

Disa ditë para vdekjes, Ginsburg shprehu shqetësimin e saj për një lëvizje të tillë. Ajo ka kërkuar që vendi i saj të mos zëvendësohet pa u vendosur presidenti i ardhshëm.

Gjyqtarët në Gjykatën Supreme në Amerikë shërbejnë për gjithë jetën ose zgjedhin të tërhiqen. Vdekja e Ginsburg nis edhe një betejë politike se kush do ta pasojë atë. Që prej marrjes së detyrës, Donald Trump ka caktuar dy gjykatës dhe aktualisht gjykata në shumicën e rasteve ka vendosur në favor të konservativëve./tvklan.al