Ndryshojnë krerët e uniformave blu në 9 qarqe

Ngjarjet e rënda kriminale të kohëve të fundit kanë shkaktuar një dallgë të fortë të lëvizjeve në kupolën e Policisë së Shtetit. Me firmën e kreut të uniformave blu Ardi Veliu janë ndryshuar drejtuesit e policisë në 9 qarqe të vendit, përveç Tiranës dhe Gjirokastrës.

Kështu zëvendësdrejtori i Policisë së Gjirokastrës Skënder Hita është transferuar në krye të policisë së Shkodrës, një qark problematik sa i takon rendit dhe sigurisë.

Në Vlorë, një tjetër qark që ka pasur probleme, në krye të policisë është vendosur Bledar Çeliku që deri tani ka qenë drejtor i policisë së Fierit.

Vendin e tij në Fier e ka marrë Ferdinand Mara që ka lënë drejtimin e policisë së Korçës. Drejtimin e forcave të rendit për Korçën do ta marrë, Ardian Çipa që deri tani ka shërbyer në Akademinë e Sigurisë.

Gjovalin Loka, Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit është transferuar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.

Ndërsa Lorenc Shehu që ka drejtuar drejtorinë e policisë së Durrësit është transferuar në në krye të policisë së Lezhës. Në Durrës do të shkojë Oltion Bistri që aktualisht drejtonte Komisariatin e Policisë Nr 2 në Tiranë.

Policinë e Kukësit do ta marrë në dorë Hamdi Fiore që deri tani ka shërbyer si zëvendës drejtor policie në Korçë.

Edmond Tarkaj deri tani drejtor i Policisë Rrugore do të shkojë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Beratit. Drejtimin e policisë rrugore do ta marrë Dhimitraq Ziu që aktualisht ishte zëvendës-drejtor për sigurinë në policinë e Tiranës. Këtë vend do ta marrë Luigj Vathi që mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë.

Ndërsa Neritan Nallbati deri tani drejtor i policisë së Beratit transferohet si Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë  së Shtetit.  Kreu i policisë së Shkodrës Niko Brahimaj është emëruar Drejtor i Institutit të  Policisë  Shkencore.

Këto lëvizje në policinë e shtetit u paralajmëruan pak ditë më parë edhe nga kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

Tv Klan