Palët nuk bien dakord të diskutojnë për listat e hapura

Propozimi i mazhorancës për të shtruar në tryezë ndryshimet kushtetuese për listat e hapura ka shkaktuar përplasje në Këshillin Politik, të mbledhur pasditen e së enjtes. Damian Gjiknuri tha pas mbledhjes që zgjati rreth 1 orë, se opozita refuzoi diskutimin.

“Unë propozova që në vazhdën e takimeve që kishim zhvilluar dy ditë më parë, të vijonim diskutimin për ndryshimet kushtetuese për listat e hapura. Opozita nuk kërkon që të trajtohet kjo çështje në Këshill, edhe pse thirrja jonë dhe e presidentit ka qenë që të dialogohet dhe kjo çështje. Ne kërkuam dialog dhe vazhduam dhe sot ta prekim. Ne kemi mundësi që të vijojmë diskutim deri në 30 korrik. Kuvendi ka filluar një procedurë për ndryshime kushtetuese që nuk e ndalojmë dot. Nuk pati dakordësi. PD nuk kërkon që të vazhdohet më në këtë drejtim”.

Në krahun tjetër, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike tha se opozita e bashkuar është kundër çdo ndryshimi të njëanshëm pasi kjo rrëzon marrëveshjen e 5 Qershorit.

“Çdo ndryshim i njëanshëm bie ndesh me marrëveshjen e 5 Qershorit”.

Palët ndërkohë kanë rënë dakord për çështjen e sinjalizuesve dhe ashpërsimet në Kodin Penal për shitblerjen e votës dhe keqpërdorimin e administratës, çështje të propozuara nga opozita jashtë parlamentit.

Tv Klan