Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur që të ndryshojë masën e sigurisë për mjekun kardiolog Evdin Prifti. Mjeku tashmë nuk do të ketë vetëm masën pezullim nga detyra, por do të hetohet nën masën “arrest në burg”.

Prifti ka dalë në përgjimet e dosjes së SPAK për arrestimi ne gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, ku dëgjohet të ketë komunikuar me kryesekretarin e kësaj gjykate dhe t’i ketë premtuar asaj se do t’i fuste nënën në operacion pa radhë.

Prokuroria në fillim e akuzoi vetëm për ryshfet, por pasi i gjetën një sasi të madhe parash në banesë ai akuzohet dhe për veprën penale “pastrim parash” dhe do duhet të qëndrojë në burg.

Para nisjes së seancës, Prifti deklaroi para mediave se ai është i pafajshëm dhe çdo para që i është gjetur e ka të justifikuar.

Prifti për mediat tha se është totalisht i pafajshëm dhe të ardhurat e tij janë të gjitha e tij janë të justifikuara.

Jam totalisht i pafajshëm të gjitha argumentet dhe të gjitha provat i janë vënë në dispozicion gjykatës. Të gjitha të ardhurat e mia janë të justifikuara”, tha mjeku.

I pyetur për kohën përfundimit të operacionit, mjeku tha se i gjithë operacioni ka një prapavijë politike.

“Pikëpamjet e mia nuk janë të djathta, por janë thellësisht liberale edhe demokratike në funksion të popullit tim në funksion të asaj që duhet të mendojmë. Sigurisht që mendimet e mia janë të shprehura dhe të dokumentuara në vite dhe është detyrë e çdo intelektuali ta bëjë. Nëse këto bien ndesh me personalitete të caktuara, këtu është problemi i tyre. Besoj se kjo është elektorale”, u shpreh ai.

Më tej tha se  do të preferonte që prangat i viheshin para mediave. “Do të preferoja që prangat të viheshin këtu para mediave. Do të ishte më simpatike për të gjithë popullin”, u shpreh ai./tvklan.al