“Ne do të dalim, do të punojmë për bukën e gojës”

“Ne do të dalim, do të punojmë për bukën e gojës”

14:55 14/04/2020

8 Prilli ishte dita ndërkombëtare e komunitetit rom. Kjo është një ditë ku kremtohet historia dhe traditat e këtij komuniteti, si dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat që përballet ky komunitet.

Programi “Historia ime” në Tv Klan na njeh më afër me situatën e këtij komuniteti në këto kohë pandemie me një reportazh të përgatitur nga gazetarja Bela Mero, e cila ka shkuar të shohë nga afër gjendjen e tyre në një nga zonat e famshme të quajtura Bregu i Lumit.

Bela Mero ka biseduar me ta dhe Marjetën, nënë e 3 fëmijëve ka treguar se gjendja e tyre është shumë e vështirë dhe jetojnë në një barakë që e kanë ndërtuar vetë.

Ajo shprehet se në këtë situatë që ndodhet vendi si pasojë e pandemisë, askush nuk ka shkuar për t’ju çuar ndihma ushqimore.

Gazetarja: Paske disa fëmijë?

Marjeta: Kam 3 fëmijë, dy vajza një djalë!

Gazetarja: Sa kohë keni që jetoni këtu?

Marjeta: Unë kam 5 vjet!

Gazetarja: Kjo nuk është shtëpi e mirëfilltë apo jo?

Marjeta: Është barake me dërrasa.

Gazetarja: E keni krijuar ju vetë?

Marjeta: Po vetë, e kam krijuar vetë se aq mundësi kisha më tepër nuk kam. Mua edhe këtu më është sëmurur djali, më është bërë me skoliozë, me azëm, me çdo gjë tek kjo.

Gazetarja: Ka lagështirë?

Marjeta: Ka shumë!

Gazetarja: Marjeta ti punon?

Marjeta: Jo jam pa punë!

Gazetarja: Sa vjeç je?

Marjeta: 24!

Gazetarja: Po bashkëshorti?

Marjeta: Punon!

Gazetarja: Çfarë pune bën?

Marjeta: Transport, por rroga që është atje nuk është maksimale, 240 mijë lekë në muaj dhe ato nuk dalin për asgjë. Është detyruar prapë të punojë, nuk e lë sot se është i detyruar të mbajë familjen e vet. Po është shumë e vështirë!

Gazetarja: Po si ja dilni?

Marjeta: Si ja dalim, me borxhe tek dyqani, kur marrim rrogën i lajmë.

Gazetarja: Doja të ndalesha pak tek përhapja e virusit. Besoj ju e dini që masat janë marrë dhe izolimi i ka detyruar të gjithë të lëvizin më pak? Ju personalisht keni dalë si familje këtë një muaj?

Marjeta: Ne do dalim, do punojmë për bukën e gojës. Ai që thotë mbylluni në shtëpi ka sjellë gjë për të ngrënë? Nuk ka sjellë gjë!

Gazetarja: Nuk ka ardhur askush që t’ju sjellë ndihma ju?

Marjeta: Jo ditën e hënë e kam bërë problem tek njësia 4, për paketa ushqimore dhe të shohim, jam në pritje.

Gazetarja: Ti pse nuk punon?

Marjeta: Unë nuk punoj se këtë fëmijë që e kam në krah, e kam me skoliozë dhe në çerdhe nuk e çoj dot prapë, se fëmijë janë ata shtyhen, bëhen.

Gazetarja: Ke një kërkesë të fundit apo një mesazh për të përcjellë për ata që do ta ndjekin historinë tënde sot?

Marjeta: Për shtëpi dua, se shiko në çfarë gjendje jam, të vish brenda do thuash, duket vetë nga jashte si është mos pyet nga brenda. Atë dua më shumë, se gjë tjetër nuk kemi çfarë kërkojmë nga qeveria, të paktën të na strehojë./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo