Në ceremoninë e 100-vjetorit të Tiranës si kryeqytet, në fjalën e tij të rastit Kryeministri Edi Rama tregoi një histori me një ambasador të huaj, të cilin e quajti “vip”.

Pa e përmendur me emër, Rama tha se ky “vip” kishte ardhur në aeroportin e Rinasit dhe po jepte mesazhe për luftën kundër krimit.

Por, nuk largohej nga salla vip e aeroportit pa një eskortë me makina të blinduara për shkak të idesë së gabuar që kishte krijuar për kryeqytetin shqiptar.

“E fillova me një ambasador, duhet ta vazhdoj me një vip ndërkombëtar nga një vend shumë serioz, i cili erdhi në Tiranë edhe nuk dilte nga aeroporti i Rinasit. Erdhi me policë dhe gazetarë. Kishte ardhur të jepte mesazhe të forta për luftën kundër krimit. Nuk dilte sepse donte makina të blinduara, donte dhe automatik. Kishte idenë që kishte ardhur në një vend ku rrugës, mund ta vrisnin, ta rrëmbenin, ta torturonin. Dhe pas shumë minutash negociata, i thashë këtë shërbim nuk e ofrojmë. Vendosi të vinte, dhe të nesërmen në mëngjes erdhi te unë. Më tha të kërkoj falje, sepse ndjehem në vështirësi. Sepse unë kam parë shumë vende, po kurrë nuk kam parë veten time kaq budalla. Që ajo që prisja të ishte komplet e kundërt me atë që gjeta. Dhe ky është fakt”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Në aktivitetin që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ishin të pranishëm ambasadorët e akredituar në vendin tonë, anëtarë të kabinetit qeveritar, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe personalitete të tjera. /tvklan.al