Balluku: Së shpejti nisin punimet për një pjesë të segmentit

Qeveria është në negociata me Bankën Islamike për Zhvillim për të siguruar një kredi, e cila do të përdoret për të përfunduar dy lote të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, lotin 1 dhe 2.

Nga qyteti i Korçës ku ndodhej për nisjen e punimeve të godinës së re të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ministrja Belinda Balluku tha se pritet që së shpejti të nisin për punimet për një pjesë të këtij segmenti për të cilin është gjetur financimi.

“Kemi gjetur fondet për lotin 3 dhe tani jemi në bisedime me Bankën Islamike për fondet e lotit 1 dhe 2 dhe besoj punimet nisin shumë shpejt për pjesën e parë të segmentit.”

Në Janar të vitit të shkuar qeveria i kërkoi Bankës Islamike shtyrjen e derdhjes së huasë deri në Prill të këtij viti. Në total rrugës që ka nisur për t’u ndërtuar prej një dekade i duhen për të përfunduar edhe 60 milionë dollarë, ndërsa kostoja totale e saj kap një faturë pre 180 milionë dollarësh, ku pjesa kryesore jepet nga Banka Islamike.

Aksi Qukës-Qafë Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje.

Tv Klan