Nëna mes lotësh: Nuk po mundem dot t’ia arrij që djali të më bëhet si gjithë fëmijët e tjerë



Nëna mes lotësh: Nuk po mundem dot t’ia arrij që djali të më bëhet si gjithë fëmijët e tjerë

15:40 17/06/2020

Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të nënës së 4 fëmijëve. Klodiana Firanji nga qyteti i Korçës rrëfeu në studio se kur djali i saj ishte 3 vjeç, ajo kuptoi se kishte probleme me dëgjimin. Pas vizitave të kryera, mjeku e këshilloi që t’i vendoste aparat dëgjimi dhe më pas të kryente një ndërhyrje kirurgjikale.

Por mes lotësh, nëna u shpreh se nuk ka mundur dot të sigurojë shumën e nevojshme dhe prandaj ndihet edhe shumë keq që ka një zgjidhje për djalin e saj, por ajo nuk ia mundëson dot.

Mirela Milori: Ti vetë je ndjerë ndonjëherë në vështirësi, kur djali nuk kupton ndonjë gjë?

Klodiana Firanji: Shumë herë! (qan) Kur ai do të thotë diçka vetë, në momentin që nuk e kuptojnë, unë si nënë ndjehem shumë keq. Më shumë keq ndjehem që ka një zgjidhje dhe unë nuk po mundem dot t’ia arrij, që dhe djali të më bëhet si gjithë fëmiëjt e tjerë!

Mirela Milori: Miq, të afërm, njerëz që mund t’iu ndihmojnë, që të mblidheni me një kontribut të rrethit familjar, të bëheshin 5 mijë euro nuk ke?

Klodiana Firanji: Jam përpjekur me çdo mënyrë, por nuk kam gjetur zgjidhje me njeri. Kudo kam trokitur.

Mirela Milori: Ke motra dhe vëllezër?

Klodiana Firanji: Kam motra dhe vëlla, por nuk janë në gjendje që të më ndihmojnë, secili ka hallet dhe problemet e tyre.

Mirela Milori: Më the që je i vetmi njeri që rri me Devin, që komunikon me të! Ti vetë si ke arritur ta kuptosh dhe të bëhesh veshi i Devit, se në një farë mënyre ti për të je tamam ai dëgjimi i munguar. Ke patur ndonjë konsulentë, të ka mësuar dikush apo si?

Klodiana Firanji: Jo thjesht vetë, me mënyrën time ja kam mësuar.

Mirela Millori: Si arrin ta kuptosh Devin dhe ta ndihmosh?

Klodiana Firanji: Pak edhe me shenja, kur nuk e kuptoja diçka, ai vinte e merrte dhe më thoshte kjo. Aty e kuptuam njëri-tjetrin, si do mund ta ndihmoja.

Mirela Milori: Ai të sheh në dritë të syrit!

Klodiana Firanji: Po dhe për çdo gjë më thotë shikomë këtu. Tani është bërë më kurioz, do të dijë gjithçka./tvklan.al




Të ngjashme