Nga 1 gushti Ministria e Financave do të rikthejë në terren grupet e punës, për të rinisur kontrollin për kuptonin tatimor. Aksioni i konceptuar si një fushatë edukuese dhe ndërgjegjësuese me sipërmarrjen dhe qytetarët do të ketë në fokus të veçantë zonat turistike, për shkak të përqendrimit më të madh të aktivitetit të bizneseve dhe pushuesve në këtë sezon.

Përmes një letre drejtuar administratës tatimore, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj sqaron se këtij aksioni nuk do t’i shpëtojnë as qytetet e tjera, pasi fushata do të shtrihet në mbarë vendin. Kreu i financave i kërkon administratës tatimore që të shmangë represionin ndaj biznesit dhe të tregohet miqësore me të.

Ministri Ahmetaj shprehet se ekonomia shqiptare në këtë fazë të dytë anti-informalitet e ka lënë pas krizën dhe ka hyrë në një trend të pakthyeshëm të konsolidimit të rritjes, që sipas kreut të financave për tremujorin e parë të vitit ishte shumë pranë kufirit të 3%.

Sipas Ministrisë së Financave, si pasojë e aksionit anti-informalitet në gjashtë muajt e parë të ardhurat buxhetore u rritën me u rritën me 10.6 miliardë lekë ose 5.8 për qind krahasuar me një vit më parë.

Mesatarja e subjekteve deklaruese për gjashtëmujorin e parë të këtij viti sipas të dhënave të Ministrisë së financave është rritur në 85% të totalit, ndërsa numri i kuponëve të lëshuar ka shënuar rritje me 26%, krahasuar me të njëjtën periudhë./TV KLAN