Italia hap baret, restorantet dhe dyqanet

E hëna e 18 Majit do të shënojë lehtësim të ndjeshëm të masave për frenimin e përhapjes së COVID-19 në pjesën më të madhe të Europës.

Mes masave të përcaktuara kundër koronavirusit, Italia vatra kryesore e pandemisë europiane, do të hapë baret, restorantet, piceritë, qendrat estetike, dyqanet por edhe muzetë e kishat. Plani i qeverisë parashikon që palestrat dhe qendrat sportive të hapen pas 25 Majit, ndërsa më 15 Qershor pritet hapja e kinemave dhe teatrove.

Prej të hënës, qytetarët po ashtu do të mund të lëvizin të lirë mes qyteteve të rajoneve ku banojnë, pa qenë më nevoja e një leje. Lëvizja e lirë në gjithë Italinë do të mund të rikthehet vetëm pas 2 Qershorit. Për 2 javët e ardhshme dalja jashtë vendit do të jetë e kufizuar vetëm për arsye shëndetësore ose pune. Në një deklaratë për mediat, Kryeministri Giuseppe Conte tha se lëvizja e lirë me vendet e Bashkimit Europian pritet të rikthehet pas 3 Qershorit. Gjithçka pritet të bëhet në marrëveshje me vendet e tjera të unionit.

Prej të hënës, edhe Greqia do të lejojë udhëtimin pa kufizime brenda vendit, teksa nga e premtja u hapën plazhet.

Greqia, Italia, Spanja, Franca e Gjermania kanë në plan të rikthejnë lëvizjen e lirë brenda Schengenit në fillim të Qershorit, periudhë kur pritet të lejohen edhe hyrjet e turistëve të huaj. Fillimi i Qershorit do të shënojë edhe hapjen e hoteleve në Spanjë, për t’i dhënë frymëmarrje, sektorit të tretë më të rëndësishëm të ekonomisë, turizmit që përbën 12.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Tv Klan