Një vit më parë në Krujë artistët shqiptarë morën premtimin se “Maratona  e Këngës” do të kthehej në një ngjarje kulturore tradicionale për qytetin. Dhe ashtu ndodhi.

Mijëra qytetarë iu bashkuan projektit të madh muzikor të verës brenda mureve të kalasë.

Një vit më parë “Maratona e Këngës” në Krujë përkoi  me fillimin e punimeve për rehabilitimin e qendrës së qytetit, tashmë një tërheqje e madhe turistike.

Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Krujë, Artur Bushi, koncerti solli para publikut artistë të këngës tradicionale, këngëtarë e grupe të muzikës moderne në amfiteatrin e lagjes së kalasë.

Pas Krujës, maratona udhëtoi  më në Veri, pranë një tjetër kalaje.

Nën hijen e Rozafës, pranë pedonales së Shkodrës, u vendos për herë të parë skenografia e “Maratona e Këngës”. Vjet koncerti ishte në Velipojë, këtë verë në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, ai erdhi sa më pranë shkodranëve.

Përveç emrave të njohur pjesëmarrës në këtë edicion, “Maratonës së Këngës” iu bashkuan edhe këngëtarë të suksesshëm shkodranë si Bashkim Mukadesi e Rosela Gjylbegu.

Një moment i veçantë ishte dedikimi që kantautori Gjergj Leka bëri për gjithë artistët e njohur të këtij qyteti më këngën “Bijtë e Shkodrës”.

Mbrëmja u përshëndet edhe nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi. Pas Shkodrës, “Maratona e Këngës” udhëton në Poliçan./Tv Klan