Arreston 5 persona, autorë të disa ngjarjeve kriminale

Policia e Tiranës ka zbuluar në 18 baza të ndryshme në Tiranë që shërbenin për modifikimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale, ndërsa ka vënë në pranga 5 persona. Ata janë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi, Arben Sufa, ndërsa janë shpallur në kërkim Sokol Gjura dhe Akil Kulla. Si pjesë e kësaj bande janë arrestuar më herët edhe shtetasit Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku.

Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Kompleks” janë zbardhur gjithashtu edhe 3 ngjare kriminale që kanë ndodhur në vitet 2017-2018 në Tiranë. Ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me dy të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autor të tentativës së vrasjes me eksplozive të Arian Bylykut, kunatit të Domart Konjarit. Ky i fundit i dyshuar si porositës i vrasjes së Devi Kasmit, nga ish-komandoja greke Eftimius Eftimiu.

I shpalluri në kërkim Sokol Gjura dhe dy kushërinjtë Jamaku dyshohen gjithashtu se janë autorë edhe të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, ngjarje e vitit 2017. Gjithashtu ata dyshohen dhe si autor të vendosjes së lëndës plasëse në banesën e Edmond Saraçit.

Ndërkohë që Arben Sufa dhe Bujar Jaupit, me profesion tornitor, u arrestuan pasi në ambientet e punishteve të tyre bënin modifikimin e armëve dhe silenciatorëve që më pas u shiteshin grupeve kriminale.

Gjatë këtij operacioni u bë gjithashtu sekuestrimi i një arsenali armësh zjarri, përfshi një snajper të modelit të fundit, antintakë, kallashnikovë, pistoleta, silenciatore, radio policie dhe 7 automjete, dy prej tyre të blinduara.

Sipas burimeve mësohet se zbulimi i bazave të armatimeve dhe zbardhja e 3 ngjarjeve kriminale është bërë pas zbërthimit nga hetuesit të Enver Jamakut. Ky i fundit u arrestua 1 muaj më parë bashkë me kushëririn e tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukalin, pasi akuzohen se i kanë vënë lëndë eksplozive Gjon Menës në Kamëz, i cili mbeti i gjymtuar.

Tv Klan