“Ngecin” hetimet për grabitjen e Rinasit

Foto: Momenti kur grabitësit hyjnë në pistën e aeroportit, më 9 Prill 2019

“Ngecin” hetimet për grabitjen e Rinasit

15:41 16/05/2019

Apeli i Krimeve të Rënda i la në burg të 6 grabitësit e Rinasit, të cilët edhe pse të gjithë kanë mohuar akuzat e ngritur nga prokuroria. Këtë të enjte togat e zeza lanë në qeli Ragip Hajdinin, i njohur ndryshe si “daja”. 50-vjeçari nga Kosova ka deklaruar se nuk ka lidhje me vjedhjen e 6 milionë Eurove, duke sqaruar se i penduari i drejtësisë Alkond Bengasi e ka ngatërruar me dikë tjetër.

Por kur kanë kaluar 38 ditë nga supergrabitja, duket se hetimet e prokurorisë kanë ngecur. Puna e hetuesve deri tani është e bazuar mbi dëshminë e Alkond Bengasit i cili ka identifikuar 9 persona të cilët sipas tij  kanë pasur dijeni për grabitjen. Por roli i Bengasit në këtë ngjarje ka qenë periferik, pasi nuk ka dijeni për 5 personat të cilët kanë qenë në pistë dhe të tjerët që janë marrë me largimin e parave nga aty.

Gjithashtu të dhënat janë shumë të pakta për organizatorët kryesorë të grabitjes dhe deri tani është i pamundur identifikimi i tyre. Të vetmit që janë shpallur në kërkim janë vëllezërit Klement e Eldi Çala si dhe Talo Çela. Operacioni për kapjen e tyre vazhdon në qytete si Elbasan dhe Fushë-Krujë, por deri tani nuk është bërë i mundur zbulimi i vendit ku qëndroi.

Disa persona që janë lidhje e tyre  mbahen në vëzhgim nga policia. Misteri më i madh janë paratë e grabitur. Ka dyshime se ato mund të jenë ende ne zonën e Fushë-Krujës ose të jenë dërguar në Elbasan. Në vendnumëro duket se kanë mbetur hetimet edhe për akuzën e shpërdorimit të detyres ku po hetohen zyrtarë të aeroportit dhe institucioneve të tjera shtetërore të cilët dyshohet se nuk kanë kryer detyrën. Asnjë funksionar nuk është ndaluar, por vetëm janë sekuestruar dokumente nga institucione të ndryshme.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT