Policia vendase e rezervuar në dhënien e informacionit

Policia në Reykjavík arrestoi 4 persona të tjerë dhe ndërmori kontrolle në 6 vende të ndryshme mëngjesin e së enjtes, në kuadër të hetimeve që vijojnë për vrasjen e Armando Beqirit, shqiptarin e ekzekutuar jashtë shtëpisë së tij në lindje të kryeqytetit islandez, muajin e shkuar.

Nuk ka ende detaje rreth këtij operacioni nga autoritetet. Mediat islandeze shkruajnë se asnjë prej të arrestuarve nuk ka qenë ndaluar më parë për ngjarjen.

Më herët policia ka vënë në pranga edhe 9 persona të tjerë, të dyshuar si të lidhur me ngjarjen, prej të cilëve 3 mbeten të burg. Një prej tyre do të qëndrojë në burg deri më 24 Mars, ndërsa dy të tjerët deri më 14 Prill. Numri total i të arrestuarve për hetimet e vrasjes së shqiptarit është 13.

Hetimet konsiderohen si një prej më të mëdhave të këtij lloji në Islandë, përgjatë dekadave të fundit. Policia atje ka qenë tejet e rezervuar në dhënien e informacionit për ngjarjen. Në hetime janë përfshirë policia vendase dhe Europol, pasi në grupin e 9 të arrestuarve më herët, 8 prej tyre janë me kombësi të huaj, ndërsa tjetri islandez.

Armando Beqiri, i cili jetonte prej vitesh në Islandë dhe gëzonte edhe nënshtetësinë, u vra me breshëri plumbash jashtë shtëpisë së tij më 13 Shkurt. Ai ishte në të 30-at dhe la pas bashkëshorten islandeze dhe një fëmijë të vogël, të cilët në momentin e ngjarjes ndodheshin në shtëpi.

Shkaqet e vrasjes mbeten ende të panjohura, megjithatë dyshimet janë se lidhen me botën e krimit./tvklan.al