Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të martë se nuk është i shqetësuar për trendin e kriminalitetit apo aksidenteve në vendin tonë. Duke marrë parasysh ngjarjet e ditëve të fundit, ku 8 qytetarë humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik dhe një përplasje me armë Rama tha se trendet janë brenda një limiti.

Ngjarjet e ditëve të fundit janë tronditëse për kryeministrin, por kjo nuk do të ndikojë në sezonin turistik sipas tij. Ai deklaroi se turistët po vijnë dhe do të vijnë në vendin tonë.

“Pikë së pari nuk jam i shqetësuar në aspektin e trendeve të kriminalitetit apo të aksidenteve. Sepse trendet shikohen përtej 1-2-3 apo 4 ngjarjesh shumë tragjike dhe mjafton t’i shikoni dhe do të shikoni që trendet janë brenda një limiti që përcakton edhe shkallën sesi kriminaliteti apo aksidentet, ulen apo ngrihen. Natyrisht që ngjarjet e ndodhura janë tronditëse nuk diskutohet, por për turistët mos kini asnjë merak. Atmosfera e një vendi ku me demek turistët nuk duhet të vijnë se rrezikojnë të vriten rrugëve, është në ekran dhe jo në realitet. Fakti e tregon që turistët po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Turistët nuk vijnë nga hëna, vijnë nga vete ku jetohet, ku ka dhe situata të vështira, dhe ku 1, 2, 3 apo 4 ngjarje nuk përcaktojnë nivelin e sigurisë apo nivelin e pasigurisë në një vend”.

Sipas kreut të qeverisë mediat duhet të jenë më realiste dhe të mos kalohet në ekzagjerime. Ai u shpreh se Policia e Shtetit nuk mund të shmangë një aksident kur një i papërgjegjshëm i jep makinës me shpejtësi të lartë, apo kur pas mesnate ndodh një sherr i papritur mes fqinjëve.

“Të thuash që është bërë më keq sesa Covid… unë mendoj që duhet të jemi shumë realistë dhe duhet të kuptojmë mirë sesi është dinamika e çdo ngjarje dhe natyrisht çfarë duhet të bëjë secili. Ne nuk jemi në asnjë sekond të kënaqur me punën tonë, e strukturave tona, që nga puna ime, deri tek puna e cilidoqoftë… por të kalojnë në ekzagjerime të kësaj natyre. Unë nuk e di sesi Policia e Shtetit mund të shmangë një aksident, kur një i çmendur ecën me shpejtësi, apo sesi mund të gjendet pas mesnate ku bëjnë sherr dy fqinj”, tha Rama.

Sa i përket reformimit të Policisë së Shtetit, Rama tha: “Pjesa jonë është e qartë, vazhdimi i procesit të reformimit dhe fuqizimit të Policisë së Shtetit në sensin e ristrukturimit të vazhdueshëm për të arritur të gjithë objektivat që kanë të bëjnë me moshën, integritetin, performancën e gjithsecilit dhe fuqizimin e Policisë së Shtetit me teknologji, në mënyrë që gjithçka në aspektin e monitorimit të territorit”.

Rama u ndal edhe tek deklaratat e Çuçit të një ditë më parë, ku akuzoi mediat për transformim të fjalëve të tij.

“Nuk është asnjëherë një ngjarje e çfarëdo niveli, në çfarë do sektori e lëre më pastaj një ngjarje në sektorin e Punëve të Brendshme që ka edhe fatalitete, një arsye për të larë duart, asnjëherë. Përkundrazi çdo ngjarje është një motiv i fortë për të menduar si mund të bëhen gjërat më mirë në tërësi. Kur them që sulmi ndaj policisë është absurd nuk kam parasysh që nuk mund të bëjë më mirë apo shumë më mirë punën  e vet, kam parasysh faktin që nuk është vetëm policia në një vend demokratik, ajo që garanton gjithçka dhe që kontrollon sjelljet e njerëzve e individëve rrugëve, apo konfliktet mes tyre që ndodhin në pak minuta e që s’ka polici në botë që mund t’i parandalojë. Por sigurisht Policia jonë e Shtetit ka nevojë për një mbështetje sa i përket teknologjisë, drejtuese etj.”, tha Rama.

Rama: Policia nuk dënon, mediat të demaskojnë gjykatësit KÇK

Rama foli edhe për akuzat që një ditë më parë ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi hodhi ndaj disa prokurorëve e gjykatësve me arsyetimin se lirojnë persona të rrezikshëm që kapen nga policia.

Kryeministri tha: “Policia e Shtetit nuk dënon. Reagon, ndalon dhe çon para gjykatës persona që shkelin ligjin dhe në rast se, fjala vjen, mund të konsiderohet një arsye e një tragjedie fakti që personat e përfshirë në tragjedi kanë armë pa leje, patjetër që armëmbajtja pa leje këtu dënohet, nuk është Policia e Shtetit që mund të çojë në burg ata që çon para gjykatësve dhe ata nuk i dënojnë as me minimumin që i jep ligji. Mediat duhet të bëjnë demaskimin e këtyre gjykatësve sepse janë fakte skandaloze që ndodhin dhe që Gjykatat, ata cilët janë akoma në detyrë sepse nuk kanë kaluar vetingun dhe abuzojnë, nuk ka një instrument qeveria që t’i bëjë zap dhe shumë mirë që nuk i ka sepse kemi zgjedhur të jetojmë në një vend demokratik. Duhet të gjithë të bëjnë pjesën  e tyre, e jona është e qartë, vazhdimi i procesit të reformimit dhe të fuqizimit të Policisë së Shtetit, në sensin e ristrukturimit të vazhdueshëm, për të arritur objektivat që kanë të bëjnë me moshën, integritetin, performancën e secilit dhe në teknologji në mënyrë që shumëçka, në aspektin e monitorimit të territorit të bëhet më mirë. Nuk është çështje e lënies së fajit, jetojmë në një sistem ku përgjegjësitë janë personale, kush shkel ligjin duhet të ndalohet dhe dënohet dhe nëse një nga hallkat nuk funksionon, bëhet më e vështirë”, tha Rama.

Përplasja me armë në Sarandë, Rama: Përgjegjësi e drejtpërdrejt e policisë atje

Kryeministri Edi Rama foli këtë të martë edhe për përplasjen me armë të ndodhur rreth dy javë më parë në qytetin e Sarandës, ku një konflikt mes 3 të rinjve dhe pronarit të një lokali, çoi jo vetëm në plagosjen e këtij të fundit, por edhe të një pushuesi që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Në këtë rast, kreu i qeverisë shqiptare thotë se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi policinë e Sarandës, pasi gjithçka ndodhi në mes të rrugës, në qendër të qytetit bregdetar. Për këtë ngjarje, shprehet se janë marrë të gjitha e nevojshme ndëshkuese.

“Rasti i Sarandës është përgjegjësi e drejtpërdrejt e Policisë së Shtetit në Sarandë. Për këtë arsye janë marrë të gjithë masat dhe janë bërë të gjitha goditjet e nevojshme brenda për brenda Policisë së shtetit. Rasti i Sarandës është fiks përgjegjësi e strukturave të policisë në Sarandë. Rasti i Sarandës është absolutisht një rast ku nuk ka përgjegjësi as gjykata, as mediat, askush tjetër, sa ka Policia e Shtetit. Është i pajustifikueshëm dhe struktura në Sarandë është goditur nga brenda policisë, në kuptimin që është ndëshkuar nga brenda policisë, nuk është pritur që të vijë ndonjë ndëshkim nga jashtë. Është ndëshkuar, janë marrë masa dhe merren masa vijimësisht për raste të tilla”.

“Sepse ky rast ka një flagrancë absurde, nuk ka ndodhur në ndonjë cep, se vërtetë policia patrullon po një sherr mes fqinjësh në një zonë mund të kesh shansin ta identifikosh po, kurse rasti i Sarandës është një rast flagrant është në rrugë, pra në qendër, pranë shëtitores. Një lokal përtej orarit, me muzikë, me të gjitha, ai është rast ulëritës për strukturat e policisë së Shtetit të Sarandës, patjetër”, shtoi Rama.

Si përgjigjet Rama kur pyetet për Lelin

Gjatë konferencës për mediat në ambientet e Kryeministrisë, Edi Rama është pyetur edhe për pakënaqësinë e tij ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli. Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, duke iu referuar edhe takimit në fundjavë me strukturat e PS në Vlorë ku kreu i  qeverisë nuk i ka kursyer kritikat për Lelin, e pyeti Ramën për zanafillën e këtij konflikti. Por Rama u përgjigj duke thënë se gazetarja nuk e di se çfarë ka thënë në atë mbledhje pasi nuk ka qenë aty.

Gazetarja: Dua t’ju bëj një pyetje lidhur me një takim që keni pasur në fundjavë me strukturat e PS në Qarkun e Vlorës, ku nuk keni kursyer as rezervat që kreni për kryebashkiakun Dritan Leli. Do të doja të dija zanafillën e kësaj pakënaqësie që keni ndaj kryebashkiakut. A ka të bëjë vetëm me refuzimin e ftesës sa i përket pjesëmarrjes së zgjedhjeve parlamentare si kandidat, punën në krye ta bashkisë apo ndonjë arsye tjetër? Nëse lidhet me punën si kryetar i Bashkisë pse nuk i keni shprehur më parë rezervat që keni pasur?

Edi Rama: Nuk e di ku e pe se sa u kurseva apo sa nuk u kurseva sepse nuk ke qenë e pranishme aty!

A do ta largojë Ardi Veliun? Rama: Hej Zot i madh! Nuk ka krizë në Policinë e Shtetit

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat pas ngjarjeve kriminale të ditëve të fundit. Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi paralajmëroi ndryshim të thellë në Policinë e Shtetit. Gazetarët e pyetën kreun e qeverisë nëse do të largohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Kreu i qeverisë nuk dha përgjigje direkte mbi fatin e Veliut, por tha se në Policinë e Shtetit nuk ka krizë dhe se puna e saj nuk mund të hidhet poshtë prej disa ngjarjesh tragjike.

“Hej Zot i madh! Nuk di sesi ta shpjegoj që rastet konkrete i shikon në kontekst, nëse ne do të niseshim jo këtu në Shqipëri, por vendet, qeveritë shtetet do të niseshin nga rastet për të hequr njerëz, nuk do të kishte ngelur njeri për t’u marrë në punë. Policia e Shtetit shqiptar nuk është në asnjë situatë problematike. Është vetëm në një proces rritjeje dhe fuqizimi të mëtejshëm. Pra nuk ka asnjë problematikë më të madhe seç ishte përpara këtyre ngjarjeve kur gjërat dukeshin normale. Dhe nëse i referohemi disa ngjarjeve që kanë të bëjnë me ngrëniet e kokave mes njëri-tjetrit të kriminelëve edhe aty duhet të shikojmë reagimin, kapacitetin e zbardhjes dhe të ndalimit të autorëve. Nuk ka një krizë në Policinë e Shtetit, kjo është fare e qartë. Puna e Policisë së Shtetit nuk hidhet dot poshtë se ndodhën disa ngjarje tragjike, ku faktikisht mësimit për të nxjerrë është çfarë duhet të bëjë secili, por kur konkretet janë krejt pa lidhje”, tha Rama.

Kallëzimi ndaj Pjerin Ndreut, Rama: Askush nuk mund t’ia hedhë lehtë për ofendimin ndaj policisë

Gjatë konferencës që kryeministri Edi Rama pati këtë të martë me gazetarët u pyet në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili është kallëzuar në prokurori nga dy punonjës të patrullës pasi i ka penguar të ushtrojnë detyrën.

Rama tha se askush nuk ka të drejtë t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin nëse ofendon policinë. Sipas tij, policia ofendohet vazhdimisht kur ndaj saj hidhet faji për çdo gjë që ndodh.

“Kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Por policisë i bëhet edhe një ofendim tjetër, i vazhdueshëm, i përditshëm, kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh. Ky është një ofendim shumë më i madh se një ofendim individual i një personi ndaj 2 punonjësve. Ai individuali zgjidhjet, është aty, është në shkelje të ligjit etj., por ka proces. Unë do të shqetësohesha nëse policia nuk do të kishte ndjekur rrugën ligjore… Të gjithë mund të gabojmë dhe të gjithë duhet të përgjigjen për gabimin e tyre. Në këtë rast nuk kemi një tolerim të faktit që një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo një grup punonjësish policie”, tha Rama.

Çfarë ka ndodhur në Lezhë

Patrulla ka konstatuar një lokal që operonte mbas orës 23:00 dhe sipas aktit normativ i ka kërkuar që të ndalonte aktivitetin, por ka hasur në kundërshtim të pronarit të objektit. Këtë të fundit kanë tentuar ta shoqërojnë, por që në mbrojtje të tij ka dalë kryebashkiaku Ndreu i cili ndodhej në ato ambiente dhe pretendonte se bëhej fjalë për një aktivitet bashkie.

Rama: Plazhet janë të popullit, subjektet e paligjshme të largohen

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë një konferencë për gazetarët ku u ndal tek aksioni i policisë për pastrimin e bregdetit nga ndërtimet dhe uzurpimet e paligjshme të sipërfaqeve në zonat bregdetare.

Kreu i qeverisë tha se do t’u sekuestrohet e gjithë baza subjekteve të paligjshme dhe nuk do t’u kthehet më.  

“Një gjë është e padiskutueshme se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir. Dua që t’i bëj thirrje sot atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe që kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që nuk iu takojnë me ligj dhe me rregull. Policia do të jetë në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë në vend çdo lloj çadre, shezlongu apo strukture tjetër ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit dhe të qytetarëve dhe për aq sa subjektet private janë të përfshira në procesin e garantimit të një sezoni turistik janë edhe të tyre si përgjegjësi aty ku kjo përgjegjësi iu është njohur ligjërisht.

Subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur me teorinë e faktit të kryer duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin atë bazë materiale që kanë konsideruar për aktivitetin e tyre se do t’iu merret dhe nuk do t’iu kthehet më pas si mjet uzurpimi i paligjshëm i hapësirës që nuk është i tyre por i qytetarëve”, tha Rama./tvklan.al