“Një akt i urryer, që i bashkon të gjithë

”. Vëmendja e të gjithë botës është sot në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës, i cili u trondit nga tre shpërthime të fuqishme. Është i dytë kryeqytet europian që goditet, pas Parisit, 13 Nëntorin e vitit të kaluar.

Kryeministri belg, Sharl Mishel i cilësoi sulmet të verbëra, të dhunshme dhe këtë, një ditë të zezë për vendin. Ai bëri thirrrje për qetësi dhe solidaritet.

Nga Kuba ku ndodhet për një vizitë zyrtare, presidenti amerikan Barak Obama tha se mendja dhe lutjet e popullit të tij, janë pranë popullit belg, qëndrojmë të solidarizuar me ta dhe dënojmë këto sulme mizore ndaj njerëzve të pafajshëm. Obama tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar aleatët belgë dhe të çojnë përgjegjësit përpara drejtësisë.

Presidenti francez, Fronsua Holond tha se Franca dhe Belgjika janë të lidhura përballë tmerrit. Duke i dhënë garanci dhe mbështetje qeverisë belge, Shefi i Elizesë tha se “lufta kundër terroristëve duhet të vazhdojë në të gjithë Europë, me mjetet e nevojshme, veçanërisht duke ndarë informacionet e shërbimeve sekrete”.

Në një deklaratë për shtyp, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe tha se ka lajmëruar mbledhjen e kabinietit të saj, për të diskutuar më thellë për përgjigjen ndaj sulmeve të Brukselit.

Udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Europian i cilësuan “sulme të urryera” ngjarjet në Bruksel. Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogherini u detyrua të ndalojë konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Jordanisë në Aman, e prekur nga sulmet terroriste në Paris. Ajo e cilësoi një ditë të dhimbshme për kryeqytetin e Europës.

Kryeministri britanik David Cameron u shpreh i shokuar, duke garantuar gjithçka si ndihmë.

Kryeministri italian, Mateo Renzi, në profilin e tij në rrjetin social Twitter shkruajti: Jam me mendje dhe me zemër në Bruksel.

Tv Klan