Bashkia e Tiranës iu bashkua sot aksionit kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”. Bashkia e Tiranës, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, Ministria e Arsimit si dhe Ministria e Arsimit, organizuan aksionin e pastrimit në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas ku veç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore morën pjesë edhe nxënës nga gjimnazet e Tiranës, si dhe vullnetarë të tjerë.

I pranishëm në këtë aksion ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministri Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro si dhe deputetë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan këtij aksioni në prag të festave të fundvitit dhe ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në pastrimin e qytetit. “

Unë besoj se nuk ka fabul më të bukur se sa në prag të vigjiljes për vitin e Skënderbeut, ne të pastrojmë njëkohësisht dy kryeqytetet tona, kryeqytetin e ri që është kryeqyteti i Tiranës dhe atë të vjetër që është kryeqyteti i Krujës. A ka gjë më të bukur se sa të na gjejë 2018, pastër dhe të mobilizohemi të gjithë, me aq fuqi sa kemi, për të pastruar”

, deklaroi Veliaj.

Veliaj ftoi qytetarët që të kujdesen më shumë për mjedisin që i rrethon, ndërsa theksoi se beteja që duhet fituar është ajo e mentalitetit.

“Në momentin që ne pranojmë që po, ne jemi fajtorë dhe ne duhet t’i dalim zot këtij faji, atëherë kemi filluar të ndryshojmë jo vetëm logjistikën, jo vetëm fadromat, me qeset, dorezat që mbledhim. Sot ne do pastrojmë një aks ose disa akse rrugore që në totalin e tyre mund të jenë 50 kilometra rrugë por aksi më I vështirë për të pastruar është 10 centimetra. Aty është truri, mentaliteti ynë, kultura jonë, aty është sistemi ynë i vlerave dhe sfida më e madhe nuk është sot”

, deklaroi Veliaj

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi dhe nismën e marrë nga Bashkia e Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike në kryeqytet, ku është arritur të ulet përdorimi i tyre me 60 për qind, çka solli që kryeqyteti të mos kishte probleme gjatë reshjeve.

“Ne kemi patur një ide fantastike në Tiranë, çmimi i qeseve 50 lek të vjetra nuk është një çmim që e vret xhepin e dikujt që shkon dhe blen në supermarket të shtrenjtë, por është mjaftueshëm për t’iu kthyer si barrierë psikologjike në kokë që ta refuzoj qesen dhe të marri si në kohë e prindërve tanë çante, trajsën, rrjetën. Dhe unë besoj se me nisma të tilla ne kemi arritur që në Tiranë të reduktojmë qeset 60 për qind. U pa dhe në rastin e përmbytjeve, një nga arsyet që pse Tirana nuk pati asnjë problem është se ka rënë ndjeshëm numri i qeseve, çka do të thotë dhe numri i qeseve që hidhen dhe përfundojnë në kanale. Kështu që duhet të mendojmë edhe disa zgjidhje afatgjata që ti japim dum këtij problemi”,

deklaroi ai.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi falënderoi kryebashkiakun Veliaj që iu bashkua këtij aksioni, ndërsa ftoi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm ndaj çështjeve mjedisore. tha Klosi. “Në kuadër të aksionit

“Të pastrojmë Shqipërinë që duam” ne duhet të kuptojmë që nuk mjafton vetëm operacioni i një dite, por duhet të kuptojmë shkaqet pse na krijohen këto papastërti dhe të kuptojmë shkaqet se si landfillet nëpër gjithë zonën janë të pa mbuluar të patrajtuar dhe mjafton një reshje shiu dhe ato dalin të gjitha në pah”

, tha Klosi.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se mbrojtja e mjedisit dhe e monumenteve nuk duhet të jenë përgjegjësi e vetëm një institucioni, por e të gjithëve dhe për këtë do të duhet të punohet ccdo ditë.

“Ky është momenti më i mirë për të kuptuar që në fakt ura, rruga , fusha, por edhe kalaja, edhe muzeu dhe gjithçka tjetër, nuk është vetëm e institucionit përgjegjës. Kalaja e Skënderbeut, apo Kalaja e Krujës, nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës. Edhe rruga nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës e kështu me radhë. Sot përveçse një aksion i madh për të bërë një punë shumë të rëndësishme, në fakt që po të ishte bërë çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit”

, deklaroi Kumbaro.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë nisma të shpeshta pastrimi. Fokusi i këtij aksioni është jo vetëm pastrimi i zonave të ndotura por edhe riparimi i sinjalistikës dhe i ndriçimit rrugor. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar gjelbërimit përgjatë kësaj rrugë pasi është prezantimi i parë për të gjithë të huajt që vizitojnë dhe punojnë në vendin tonë.

Ndërkohë që nesër, me moton “Ta pastrojmë qytetin që Viti i Ri të na gjejë pastër”, aksioni do të përqendrohet në të gjitha njësitë administrative, për të realizuar një pastrim të përgjithshëm të territorit të Tiranës. Për këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka ftuar që të bëhen pjesë e këtij aksioni edhe të gjithë qytetarët e Tiranës, që duan të kontribuojnë për një ambient të pastër.

Veliaj: Opozita t’i bashkohet aksionit të pastrimit

Gjatë mbledhjes së zhvilluar me 24 administratorët dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë për aksionin e ditës së shtunë të pastrimit në të gjithë Tiranën, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se shumica e qytetarëve dhe e anëtarëve të këshillit Bashkiak konfirmuan që nuk duan bllokimin, por që punët të ecin përpara.

“Me buxhetin që kaluam dje, dhe dua të falenderoj të 32 këshilltarët. Unë isha këtu, ishin 32. Mediat ishin këtu ishin 32. Sekretariati ishte këtu, ishin 32. Firmat u hodhën, ishin 32. Kështu që për ata që nuk ishin këtu dhe që në imagjinatën e tyre do të donin që të mos kishte shumicë për progresin e tyre qytetit. Më vjen shumë keq që ju zhgënjyen, por mesa duket jo vetëm shumica dërrmuese e qytetit dhe shumica dërrmuese e këshillit do që gjërat të shkojnë para. Blloko këndin e lojërave pa sukses, blloku sheshin Skënderbej pa sukses. Blloko pazarin e ri pa sukses. Blloku pastrimin e qytetit pa sukses. Njerëzit nuk dua më bllokim. Janë lodhur dhe janë disa herë më të lodhur nga politika. Kështu që dua të falënderoj të 32 këshilltarët për një votim ekzemplar, dhe një mazhorancë absolute që ne kemi në bashki”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se nëse të tjerët duan që të sfidojnë Bashkinë e Tiranës, të marrin pjesë në aksionin e pastrimin të Tiranës si dhe në mbjelljen e pemëve, duke kontribuar për kryeqytetin dhe jo duke u bërë bllokues.  “Ju them atyre të merren me një punë tjetër. Këtë bashki nuk e bllokojnë dot më dhe punën e këtij qyteti nuk e bllokojnë dot më. Një nga gjërat që i sfidoj është që nëse i duan qytetin, të vijnë njerëzit për pastrim. As s’do të ishte  bukur që të kishim nesër edhe dy partitë e opozitës për pastrim, të merrnin edhe ata qeset të jepnin edhe ata një model. Por të bllokosh që unë të punoj dhe që ne të punojmë, kjo nuk është sfidë, është budallallëk dhe është një gjë që ka dalë nga moda. Sfida ime për ata është nëse mund të mbjellin ata më shumë , nëse pastrojnë plehra më shumë se ne. nëse ata mund të sjellin ide shumë më të mira se tonat”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur në aksionin e nesër, Kryetari Veliaj deklaroi se Tirana është shumë herë më e pastër se dy vite më parë. “Ne do të vijojmë me nisma të tilla dhe më vjen mirë që nga një situatë ku e nisëm dy vite më parë ku Tirana kishte mbi 300 hot spote, ne kemi identifikuar për pastrimin nesër rreth 35. Do të thotë që është dita me natën me çka qenë.

Në këtë sens, do të doja shumë që përkrah pastrimit nesër ne të përfshijmë gjithë komunitetin, ndërlidhësit në komunitet, të përfshijmë administratorët e pallateve. Vetëm kur ne fillojmë e pranojmë që këtë faj e kemi 100% vetë, atëherë mund t’i dalim zot. Unë them që ky është viti ynë, ky është realisht viti ynë dhe Tirana është sot pa dyshim jo vetëm qyteti më i pastër në Shqipëri, një nga më të pastrit në Ballkan në nivel kryeqytetesh me kaq popullsi, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë prezantoi edhe planin e masave të marra për pastrimin e qytetit të Tiranës, veçanërisht në 35 pika ku do të përqendrohet edhe aksioni.

/tvklan.al