Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me debat. Kanë qenë deputetet e opozitës parlamentare të cilët kanë replikuar pas fjalës së kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për kohën e vënë në dispozicion.

Ata janë shprehur se opozitës po i ndalohet e drejta për të folur, duke e ndarë kohën në mënyrë jo të drejtë, e duke i lënë 95 minuta mazhorancës dhe 25 minuta opozitës.

Ralf Gjoni, duke iu drejtuar Ruçit e duke i kërkuar që të rishikojë kohën, tha se nëse mazhoranca nuk ka dëshirë të ketë opozitë, do të ketë lëpirësa në parlament.

“Në konferencën e kryetarëve që duhet ta mblidhni urgjent, duhet të diskutoni për të ndarë kohën mes deputetëve si deputetë, dhe jo si anëtarë të ndonjë grupi parlamentar, apo konstrukti parlamentar “fake” që krijohen me urdhrat e opozitës. Nuk është normale që në situata kyçe si kjo e koronavirusit, na mohohet e drejta e fjalën dhe debatit. Druaj se cilësia e jetës parlamentare po cenohet rëndë, dhe ju ftoj që ta rishikoni këtë vendim, që ne të kemi mundësi të bëjmë opozitë. Nëse mazhoranca nuk ka dëshirë të ketë opozitë do të ketë lëpirësa në këtë parlament, dhe “good luck” dhe vazhdoni parlamentin bashkë me lëpirësat tuaj”. /tvklan.al