Presidentët e Rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë, ku po mbahet samiti i Brdo Brijunit.

Pritës të këtij samiti janë Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarović dhe Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor.

Në kuadër të këtij samiti ka mbërritur në Tiranë edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

Për samitin, i cili mbahet në Ditën e Europës, ka mbërritur në Tiranë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Në takim po ashtu janë të pranishëm edhe anëtarët e Presidencës së Bosnjes, Milorad Dodik dhe Sefik Dzaferovic e Presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanovic.

Pritet që në përfundim të samitit, liderët e Ballkanit të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët në të cilën t’i bëhet thirrje Komisionit Europian të mbajë në agjendë perspektivën e zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë e cila nuk është e rëndësishme vetëm për rajonin, por për të gjithë BE-në.

Samiti i fundit Brdo-Brijuni, iniciativë e cila nisi nga Kroacia dhe Sllovenia, është mbajtur Prillin e kaluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut. /tvklan.al