Kërkesa duhet t’i drejtohet institucionit që i ka ndëshkuar

Të gjithë bizneset dhe qytetarët që janë ndëshkuar me gjoba gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, prej datës 17 Prill deri më 7 Tetor të këtij viti dhe i kanë paguar ato, që prej kësaj të premte ata mund të bëjnë kërkesë për kthimin e shumës. Kërkesa duhet t’i drejtohet institucionit që ka vënë penalitetin dhe në favor të të cilit është bërë pagesa.

Në këtë kërkesë ata duhet të shkruajnë të dhënat personale, kopjen e kartës së identitetit ose NIPT-in në rastin e bizneseve, emrin e bankës, IBAN-in, vërtetim bankar që llogaria është aktive dhe në rastin e subjekteve private duhet të paraqitet edhe një vërtetim nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Institucioni duhet të hartojë më pas urdhër-pagesën për kthimin e shumës dhe pas konfirmimit nga dega e Thesarit, gjoba e paguar do të kthehet në llogarinë e qytetarit ose biznesit.

Në procesin e kthimit të gjobave përfshihen penalitetet për qytetarët që kanë shkelur rregullat e qarkullimit gjatë karantinës, gjobat e vendosura ndaj bizneseve që nuk kanë respektuar protokollet e masave anti-Covid dhe sipërmarrjeve që kanë ushtruar aktivitet eventesh ose nuk kanë respektuar rregullat e orarit të muzikës si dhe gjobat ndaj mjeteve që kanë qarkulluar pa leje gjatë periudhës së karantinës.

Për qytetarët të cilët nuk e kanë paguar shumën e penalitetit, gjoba do të fshihet automatikisht.

Tv Klan