Gjithçka është gati për sonte në mbrëmje. “Anija” e “Në Kurthin e Piter Pan 4” do të nisë fluturimin në orën 20:15 në Tv Klan. Mbrëmja do të jetë e mbushur me surpriza, pasi do të prezantohen ata, protagonistët e këtij edicioni, të cilët ashtu si protagonistët e mëparshëm do të bëjnë për vete publikun me batutat, çiltërsinë dhe pyetjet që vetëm ata dinë t’i bëjnë.

Por kurioziteti është i madh edhe për të ftuarit që do të vendosen përballë panelit të gazetarëve të vegjël. I ftuari i parë në natën e sotme do të jetë gazetari dhe prezantuesi i mirënjohur Adi Krasta.

Sot Krastën nuk do ta shohim si gazetarin që jemi mësuar gjithmonë, por do ta shohim në një tjetër këndvështrim, nga këndvështrimi i fëmijëve. Si është ai jashtë ekranit, në përditshmëri dhe cila është ana e tij që nuk e njohim, edhe pse e ndjekim në ekran prej vitesh?!

“Sonte në ‘Piter Pan Nata 1’, i ftuar special prezantuesi dhe gazetari që ka frymëzuar punën time në television, Adi Krasta. E ndiqja me vëmendje qysh fëmijë, në të gjithë serinë e serialeve me shifrën 12, me atë artikulimin e njerëzve të talentuar, gjithmonë pak ironi e mprehtë dhe sens humori fin… Pastaj rikthimi i tij nga BBC në Londër solli një frymë tjetër në artin e të drejtuarit në ekran. Sot më shumë sesa për profesionin do të flasim për Adin, njeriun që njohim pak”, -ka shkruar Alketa Vejsiu në një njoftim në Instagram, bashkëngjitur një fotoje përkrah Adi Krastës.

Çfarë do të ndodhë tjetër sonte? Dimë t’ju themi vetëm se do të ketë plot surpriza dhe Adi Krasta s’do të jetë i ftuari i vetëm. /tvklan.al