Marrin dozat 21 personalitete. Rama: S’ka diferencim

Nis procesi i vaksinimit kundër Covid për të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç. Pas mjekëve infermierëve, epidemiologëve tashmë ka nisur vaksinimi edhe për këtë kategori të rrezikuar.

Në mënyrë simbolike, mes të parëve që morën dozat ishin edhe një numër i vogël personalitetesh të jetës publike të vendit. Janë 21 personalitete nga fusha të ndryshme të artit, kinematografisë, sportit kulturës dhe medias të cilët janë vaksinuar të parët

“Si ndihen? Shumë mirë, faleminderit”.

“Unë them se kam këmbën e mbarë, për ato që janë mbi 80 vjeç. Vaksina është shpëtimi i vetëm i kësaj pandemie të keqe”.

Po ashtu po vaksinohen edhe të moshuar të cilët janë referuar nga mjekët e familjes.

“Kam qenë kuzhiniere në Qytetin Studenti, këtyre personaliteteve u kam dhënë për të ngrënë”.

“Jam 91 vjeç kam qenë drejtor i të gjithë hidrocentraleve në Shqipëri, më thanë mjekët e shëndetësisë që të vaksinohesha”.

80 të moshuar morën vaksinën vetëm të dielën. Kryeministri Edi Rama i quajti të neveritshme akuzat që u bënë për këtë proces duke theksuar se s’ka asnjë diferencim.

“Akti që vaksinimi nis me një numër shumë modest që është rreth 21 e pak persona është një shprehej shumë e sinqertë dhe e kuptueshëm në një përkujdesje për këta njerëz të cilët nuk duhet të presim që të ndahen nga këta për tu mbajtur fjalimet dhe treguar kujtimet apo dhe dhënë dekoratat siç tani më është bërë dhe një trend qesharak në presidencë. Nga ana tjetër sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për asnjë diferencim pasi këto njerëz i përkasin kësaj kategorie, ku në sallë ka të moshuar dhe personalitete dhe kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditës. nuk do të zbritet më poshtë pa përfunduar kjo kategori”.

Përveç në “Air albania”, procesi i vaksinimit ka nisur edhe në Shkodër Vlorë, Fier dhe Elbasan. Vetëm në ambientet “Air Albania” të dielën janë vaksinuar 400 personel shëndetësor. Në total deri tani në Shqipëri janë vaksinuar afro 6 mijë persona ku përfshihen të moshuarit në azile, ata mbi 80 vjeç dhe bluzat e bardha.

Tv Klan