Nishani për përjashtimin e Berishës: Lulzim Basha është një skuth, po asgjëson PD-në


Nishani për përjashtimin e Berishës: Lulzim Basha është një skuth, po asgjëson PD-në

11:37 10/09/2021

Ish-Presidenti dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, e akuzon Lulzim Bashën se ka shkelur çdo normë dhe statutin e partisë me përjashtimin nga grupi parlamentar të Sali Berishës.

Në një status në Facebook, Nishani shkruan se ky vendim duhet të ishte konsultuar me të gjitha forumet e PD-së.

Lulzim Bashën, Nishani e konsideron “skuth që po asgjëson Partinë Demokratike”. Nishani bën thirrje që të mos lejohet shpërbërja e PD-së, ndërsa ata që heshtin sot pas vendimit për përjashtimin e Berishës i konsideron bashkëfajtorë.

Reagimi i Bujar Nishanit:

Lulzim Basha ka vepruar si një skuth !

Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrëfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.

Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike !

Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.

Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë!

Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjësimit të Partisë Demokratike, asgjesimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjësimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashëgimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.

Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike !

Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjësimin e fondamenteve më bazike të demokracisë.

Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend.

Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjësimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi. /tvklan.al







Të ngjashme