Anton Qafarena fiton Superkupën dhe shpallet lojtari i finales

Anton Qafarena fitoi trofeun e parë në volejbollin ukrainas. Pjesëtari i Kombëtares së Shqipërisë triumfoi me skuadrën e Barkom-Kazhany Lviv në finalen e Superkupës ndaj Zhitichi Zhitomir.

Qafarena ishte edhe pikëshuesi më i mirë i takimit që u mbyll me rezultatin 3 – 0 me sete. 23-vjeçari realizoi 17 pikë dhe u shpall më i miri i kësaj finaleje.

“Ishte një trofe i parë në këtë sezon. Patëm oshilacione, kishim problem me virusin, por e kaluam dhe jemi në rrugën e duhur. Është edhe një vlerësim shumë i madh edhe për mua”.

Anton Qafarena është aktivizuar në Shqipëri me Vllazninë dhe Studentin, ndërsa karriera ndërkombëtare nisi në Bundesliga në Gjermani me Bisons Buhl. Për të nuk është e rëndësishme ku luan, por vetëm që të aktivizohet si profesionist.

“Disa kampionate mbështeten në aspektin teknik, disa në atë fizik. Synimi është sporti profesionist dhe nuk ka rëndësi ku luan dhe normal ka vështirësitë e veta”.

Në këtë sezon ekipet në Ukrainë janë forcuar, pasi ligat e rëndësishme europiane ulën shpenzimet që u shfrytëzua nga vendi lindor. Një mundësi e mirë për Anton Qafarenën që të ketë në skuadër dhe përballë lojtarë të nivelit të lartë.

Tv Klan