Një 64-vjeçare humb jetën, shkon në 26 numri i viktimave

24 persona të infektuar nga koronavirusi janë zbuluar në 24 orët e fundit nga analizat laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik. Shkodra ka shënuar sërish numrin më të lartë të rasteve të reja.

“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 24 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 janë personel shëndetësor. Nga rastet e reja 12 i përkasin Shkodrës, dhe kemi 3 raste në Tiranë, 3 raste në Kukës, 3 raste në Fier, 1 rast në Korçë, 1 rast në Kavajë, dhe hartës i shtohet Mallakastra me 1 rast. Deri në këto momente janë testuar 4827 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 518 raste”.

Një 64-vjeçare ka ndërruar jetë mëngjesin e së enjtes duke u bërë kështu viktima e 26 e kësaj pandemie në vendin tonë.

“Një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese”.

43 pacientë vijojnë të marrin shërbim shëndetësor në dy spitalet COVID, disa prej tyre në terapi intensive.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar”.

Pas testimeve, 26 pacientë kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19, duke e çuar kështu në 277 numrin total të të shëruarve.

Tv Klan