Një 10-vjeçar është mbiquajtur “njeriu gjarpër”, për shkak të një sëmundjeje të rrallë genetike. I mituri Jagannath duhet të bëjë dush çdo 1 orë dhe të lyhet me krem çdo 3 orë, në mënyrë që të lehtësojë simptomat e tij të dhimbshme.

Fotografitë e 10-vjeçarit, i cili jeton në rajonin e Ganjam në lindje të Indisë, tregojnë lëkurën e tij tërësisht të tharë dhe të mbledhur si luspa. Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Sun, lëkura e tij është bërë kaq e fortë sa shpesh ai e ka të pamundur të ecë normalisht.

Fatkeqësisht nuk ka kurë për sëmundjen e Jagannath dhe babai i tij, i cili është punëtor krahu, e ka të pamundur që të përballojë trajtimin e të birit.

“Djali im vuan nga kjo sëmundje qëkur ishte i vogël dhe nuk ka kurë. Unë nuk kam para për ta çuar për trajtim dhe më dhemb zemra kur e shoh duke vuajtur nga një sëmundje e mallkuar, çdo ditë”, thotë i ati i 10-vjeçarit.

Jagannath vuan nga ikthoza lamelare, një prej sëmundjeve kongjenitale më të rralla të lëkurës. Aktualisht nuk ekziston një kurë, por ajo mund të trajtohet me kremra dhe disa medikamente për të parandaluar komplikacione dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës./tvklan.al