Këto janë pamjet që tvklan.al sjell nga vendi ku mesditën e kësaj të premteje u plagosën me armë zjarri dy persona, Orgest Bilbili dhe një kalimtare e rastit. Ngjarja ndodhi në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Mikel Dardani”, në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Gjithçka nisi kur një efektiv i forcave Shqiponja ndaloi një qytetar, të cilit i kërkoi mjet identifikimi, por hasi në kundërshtinë e tij. Qytetari në fjalë, ishte Orgest Bilbili, një person me rrezikshmëri të lartë, autor i dyshuar i masakrës së Lushnjes, ngjarje e ndodhur në vitin 2017.

Bilbili tentoi t’i largohej efektivit të policisë, por kur ky i fundit e ndoqi nga pas, Bilbili nxori armën duke ia drejtuar policit. Në këtë pikë efektivi reagoi duke e qëlluar në këmbë. Plumbat kapën aksidentalisht edhe një kalimtare, e cila gjithashtu mbeti e plagosur në këmbë.

Ndërkohë, në këtë foto shihet momenti kur pas plagosjes, policia neutralizon Orgest Bilbilin. Pranë tij, shihet edhe arma që ai mbante me vete.

Dy të plagosurit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka marrë dëshminë e efektivit të Shqiponjave për ngjarjen në fjalë./tvklan.al