Norvegjia, mbi 180 mijë vaksina për Kosovën




Norvegjia, mbi 180 mijë vaksina për Kosovën

22:27 22/06/2021

Norvegjia do të japë donacion për Kosovën më shumë se 180,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter të faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Sipas tij, ministrja e Jashtme norvegjeze Ine Marie Eriksen Søreide, ka thënë se Kosova mund të varet në Ekipin e Evropës, dhe se vendimi për donacion është marrë pas bashkëpunimit të mirë me Mirosllav Lajçak, përfaqësuesim e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë deri më tani, të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 141,008 persona.

Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Ky vend është duke vaksinuar popullatën me vaksinat e pranuara nga Bashkimi Evropian dhe programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që ndan vaksina për vendet në zhvillim.

Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech. Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,673 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,253 kanë vdekur./REL





Të ngjashme