Notre-Dame, zjarri dyshohet nga ashensori – TV KLAN

Notre-Dame, zjarri dyshohet nga ashensori

Macron: Do ta rindërtojmë brenda 5 viteve

Dy ditë nga katastrofa kulturore e Notre Dame në Paris, dyshimet e para të hetuesve francezë bien mbi një aksident në ashensorin e kantierit të punimeve për mirëmbajtjen e Katedrales. Mediat franceze raportojnë se vatra e zjarrit mund të ketë qenë baza e shigjetës së shkrumbuar, për t’u përhapur më pas në të gjithë çatinë.

Tashmë sfida është me kohën për ta rindërtuar në një kohë sa më të shpejtë. Rreth 800 milionë Euro fonde janë mbledhur nga familjet e pasura dhe komunat franceze.

Në një fjalim emotiv përpara popullit, Presidenti Emmanuel Macron tha se solidariteti pas zjarrit në Notre Dame është prova se populli francez nuk ndalet kurrë.

“Secili dha atë që mundi, secili në vendin e tij, në rolin e tij. Ky popull jemi ne, popull ndërtuesish. Kemi shumë për të rindërtuar. Po, ne do ta rindërtojmë Katedralen Notre-Dame edhe më të bukur, dhe dua që kjo të arrihet brenda 5 viteve, ne mund ta arrijmë”.

Synimi i Presidentit Macron është restaurimi i plotë i Notre-Dame brenda vitit 2024, kur Parisi do të presë Lojërat Olimpike. Por një afat i tillë sipas ekspertëve duket i pamundur. Objektet me të çmuara të Katedrales, mrekullisht u shpëtuan flakëve. Ndër to është kryqi i altarit dhe statujat poshtë tij që datojnë në vitet 1700.

Tv Klan

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*