“Nuk kemi marrë telefonat e vëllezërve”, çfarë po ndodh me hetimet për vrasjen e Viktor dhe Besmir Haxhiaj



“Nuk kemi marrë telefonat e vëllezërve”, çfarë po ndodh me hetimet për vrasjen e Viktor dhe Besmir Haxhiaj

10:30 19/01/2021

Kanë kaluar 9 muaj vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhiaj më 27 Prill 2020 në Durrës dhe dy persona janë të arrestuar dhe akuzuar për këtë ngjarje, ndërsa një tjetër, Talo Çela është i shpallur në kërkim.

Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, motra dhe nëna e vëllezërve Haxhia thonë se janë të pasqaruar për vrasjen e familjarëve të tyre. Ato thonë se nuk kanë marrë ende telefonat e Viktorit dhe Besmirit, ndërsa kanë dërguar edhe shkresa në Prokurori përmes avokatit të tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Spartak Koka: Në rast se Talo Çela ka qenë këtu në shtëpinë tuaj në momentin kur ka ndodhur ngjarja; në rast se Altin Ndoci ka ardhur për ngushëllim tek ju, atëherë çfarë po ndodh me këtë dëshmitar të penduar të drejtësisë? Është Klevis Alla i cili ngulmon se të përfshirë në këtë ngjarje është Talo Çela dhe Altin Ndoci. A jeni ju sot të sqaruar për vrasjen e djemve tuaj?

Nëna: Deri më sot asnjë përgjigje nuk e kemi marrë nga shteti pavarësisht se kemi çuar nëpërmjet avokatit disa shkresa atje. Asnjë përgjigje s’na kanë dhënë.

Spartak Koka: Ku keni çuar shkresa?

Motra: Në prokurori kemi dërguar shkresa nëpërmjet avokatit të familjes, por nuk na është dhënë asnjë përgjigje. Madje familja ka bërë kërkesë edhe për telefonat e vëllezërve për të na i kthyer mbrapsht, dhe akoma nuk kemi marrë një përgjigje.

Spartak Koka: Çfarë ju kanë dhënë dhe thënë deri më sot?

Motra: Nuk na është thënë asgjë.

Spartak Koka: Oltiana, si e shikon këtë histori, këtë mplekse me një nga të shumëkërkuarit Talo Çela, është sot zyrtarisht me vendim gjykate i shpallur në kërkim si vrasës i drejtpërdrejt i vëllezërve tuaj. Ndërkohë mamaja juaj thotë që ai ka qenë këtu dhe ju e provoni që ka qenë këtu. Çfarë mendoni se po ndodh me këtë histori?

Motra: Unë nuk e di se çfarë po ndodh me historinë. Unë, motra e atyre dy vëllezërve, kërkoj drejtësi, se ne kemi humbje të madhe. Neve na është mbyllur dera e shtëpisë, dhe nuk e di cilin rol po luan shteti në këtë mes kur nuk po na jep asnjë lloj informacioni se çfarë është bërë deri ku kanë arritur hetimet për çështjen e tyre.

Spartak Koka: Pasi është publikuar intervista e Talo Çelës, unë e kam pyetur me detaje edhe duke qenë shpeshherë skeptik për dëshminë e tij se ishte një dëshmi që befasonte. Pra, nga një i shumëkërkuar me prova shkencore siç thoshte policia e bazuar dhe në dëshminë e Klevis Allës, ai më jepte një version tjetër që paska qenë në shtëpinë tuaj.   /tvklan.al






Të ngjashme