Vendet nuk duhet që të ndalojnë së përdoruri vaksinën antiCovid të AstraZeneca-s pasi nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se shkakton mpiksje gjaku. Është kjo deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Deklarata e OBSH-së vjen pasi Bullgaria, Danimarka dhe Norvegjia pezulluan përdorimin e vaksinës. Të premten, një zëdhënëse tha se nuk ka lidhje mes vaksinës dhe rritjes së rrezikut për zhvillimin e mpikjes së gjakut.

Margaret Harris tha se vaksina është e shkëlqyer dhe duhet që të vazhdojë të përdoret. Deri më tani janë rreth 5 milionë europianë që janë injektuar me vaksinën e AstraZeneca-s.

Ka pasur të paktën 30 raste ku është zhvilluar mpiksje gjaku pasi është marrë vaksina. Në Itali është raportuar për një 50-vjeçar që ka ndërruar jetë për shkak të trombozës në vena. Zëdhënësja tha se OBSH është duke hetuar raportimet, por shtoi se nuk ka prova që vdekja të ketë ardhur nga injektimi.

Agjencia Europiane e Ilaçeve tha më herët se nuk ka prova që injektimi të shkaktojë mpiksje gjaku. Ndërkohë AstraZeneca ka deklaruar se siguria e vaksinës është studiuar gjatë testeve klinike. Britania e Madhe, Gjermania, Australia dhe Meksika janë duke vazhduar përdorimin e kësaj vaksine./tvklan.al