Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për përpjekje nga të gjithë për t’i dhënë fund gjuhës së urrejtjes në të gjithë globin. Ai tha se pandemia e koronavirusit ka lëshuar një “cunam urrejtjeje dhe ksenofobie”.

“Online dhe nëpër rrugë është ngjallur ndjenja kundër të huajve”, tha ai. “Janë shpërndarë teori konspirative antisemitizmit, kanë ndodhur sulme kundër myslimanëve, që lidhen me Covid-19”.

Guterres nuk dha shembuj specifikë, megjithatë në një vëzhgim të incidenteve të raportuara që prej nisjes së pandemisë, BBC liston disa prej tyre.

Në Indi, islamofobia ka pësuar rritje, pas një ngjarje të lidhur me një lëvizjeje misionare myslimane, Tablighi Jamaat, grupimet e të cilëve sollën infektime masive me Covid-19 nëpër vend.

Një student nga Singapori tha se ishte dhunuar nga një grup meshkujsh në Britaninë e Madhe, të cilët i thanë: “Nuk e duam koronavirusin tënd në vendin tonë”.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha se kishte rënë pre e sulmeve raciste nga Tajvani. Megjithatë këto deklarata u mohuan nga presidenti i këtij vendi.

Afrikanët në qytetin e Guangzhou janë ankuar për diskriminim, duke thënë se janë nxjerrë me forcë nga banesat e tyre dhe se janë trajtuar në mënyrë të padrejtë nga autoritetet.

Kina ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump për “stigmatizim” të këtij shtetit, pasi ai iu referuar Covid-19 si “Virusi i Vuhanit”.

Një raport i kërkuesve në Izrael tha se kriza e koronavirusit po nxiste antisemitizmin nëpër botë./tvklan.al