Operacioni antidrogë, Lleshaj: Test i rëndësishëm për marrëdhënien e re SPAK-Polici



Operacioni antidrogë, Lleshaj: Test i rëndësishëm për marrëdhënien e re SPAK-Polici

13:09 30/06/2020

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përshëndetur operacionin e përbashkët antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë që çoi në arrestimin e 37 personave dhe sekuestrimin e një sasi droge me vlerë mbi 40 milionë euro.  Në një reagim në rrjetet sociale, Lleshaj e konsideron këtë operacion një goditje të fortë kundër krimit të organizuar dhe një test të rëndësishëm për marrëdhënien e re sipas tij mes SPAK dhe Policisë së Shtetit.

“Operacioni i përbashkët italo-shqiptar dha sot një goditje shumë të fortë kundër krimit të organizuar në të dy brigjet e Adriatikut. Në të njëjtën kohë, operacioni provon fuqinë e pafundme kundër të keqes kur institucionet punojnë bashkë si në rrafshin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Kjo goditje ishte një test i rëndësishëm për marrëdhënien e re të SPAK me Policinë e Shtetit”.

Lleshaj shton se “sot SPAK, Policia e Shtetit dhe autoritetet italiane meritojnë urimet më të mira për suksesin, i cili me siguri do të thellohet më tej në të ardhmen e shpejtë”.

Operacionin e përshëndeti edhe Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca.

“Operacion i shkëlqyer kundër trafikut ndërkombëtar të drogës të kryer nga forcat italiane të prokurorisë & policisë & SPAK & e Policia e Shtetit, me mbështetjen e Eurojust, Bashkimit Europian. Lufta kundër krimit të organizuar është pioritet kryesor për Bashkimin Europian & për Shqipërinë në rrugën e saj drejt pranimit në BE.”/tvklan.al



Të ngjashme