#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të fundit: Anila Paparisto, Luçjano Marku, Fabiola Bramo, Arian Mavriqi, Klodi Qerimaj, Ardita Meni, Marjana Koçeku, Helena Halilaj, Ilir Balla

Klodi Qerimaj, në gjurmët e gjyshit të saj mjeshtrit të violinës Hetem Qerimaj

Klodi Qerimaj është mbesa e mjeshtrit të madh të violinës, artistit Hetem Qerimaj. E ashtu si gjyshi i saj, pasioni e talenti i Klodit është pikërisht violina. E ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e Opinion, ajo tregoi më shumë për jetën dhe karrierën.

Blendi Fevziu: Si nise? Me gjyshin?

Klodi Qerimaj: Të rritesh nga një familje muzikantësh nuk ke nga devijon. Tingujt që në vogëli, diku do shohësh diçka, diku do të të japin diçka. Ashtu ka nisur. Kam filluar që 4 vjeçe, ka qenë dalja ime e parë në skenë.

Blendi Fevziu: Sa vjet kishte luajtur gjyshi në violinë?

Klodi Qerimaj: Gjyshi e ka filluar violinën diku në moshën 10-12 vjeçare dhe deri në fund të jetës së tij, nuk e ndau asnjëherë violinën dhe ma la edhe mua.

Blendi Fevziu: Ti studiove pastaj në shkollë? Sepse gjyshi nuk kishte studiuar ndonjëherë…

Klodi Qerimaj: Patjetër që kishte studiuar. Me dy nga profesorët më të mirë që kishte Shqipëria asokohe, të cilët kishin mbaruar në Rusi dhe ai mori pikërisht mësimet nga ata. Ndërkohë unë fillova në moshën 6-vjeçare Liceun Artistik. E mbarova me të tëra 10-ta. Vazhdova Akademinë e Arteve. Pas Akademisë së Arteve, fitova një bursë Erasmus në Itali, në Trieste. Atje më pas konkurrova, fillova vitin e plotë dhe jam diplomuar shkëlqyeshëm. Madje dhe me titullin e nderit. Me rezultatin më të lartë. Ka qenë një nga gjërat që doja t’ia dhuroja gjyshit dhe familjes.

Blendi Fevziu: Tani me së merresh?

Klodi Qerimaj: Aktualisht jam rikthyer në Shqipëri, në Tiranë, përsëri. M’u ofrua një punë si mësuese violine në Itali, por ndodhi pandemia, nuk munda dot të qëndroja vetëm dhe u riktheva përsëri. Ky rikthimi më bëri që të qëndroja këtu, të filloja punë si mësuese muzike dhe violine. Më pas u ktheva përsëri në Trieste nga një ofertë që m’u dha nga Teatri i Verdit. Vazhdova aty dhe konkurrova dhe në një orkestër tjetër të të gjithë rajonit. Fitova atje dhe sërish u riktheva për familjen. 

Blendi Fevziu: Ju në familje jeni të gjithë me violina në dorë?

Klodi Qerimaj: Po shumica prej nesh po.

“Një nga perlat më të jashtëzakonshme që ka Shqipëria”, Fevziu apel qeverisë për rrugën e Dukagjinit

Teksa Marjana Koçeku foli për pasionin e saj për agroturizmin në studion e “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu i bëri apel qeverisë dhe ministrisë së Turizmit për të rregulluar rrugën e Dukagjinit.

Sipas Fevziut, ajo zonë është një nga më të bukurat e vendit tonë dhe meriton padyshim të njihet dhe të investohet në të.

Marjana Koçeku: Lumi i Shalës është një copëz diamanti në bukuritë e pafundme që ka Dukagjini. Ne e njohim shumë pak Dukagjinin, ose më mirë të themi njihet në mënyrë të gabuar.

Blendi Fevziu: Të lutem më lër vetëm një sekondë, meqë e kam një detyrim. Kam parë që ka një kërkesë të vazhdueshme të komunitetit të Dukagjinit, komunitetit dukagjinas në Shkodër dhe zonat e tjera të Shqipërisë për rrugën e Dukagjinit.

Do të ishte një nga kontributet më të rëndësishme, më të mira që qeveria dhe ministria mund t’i bënin Dukagjinit për ta futur realisht, ashtu siç duhet, në hartën turistike. Një nga perlat më të jashtëzakonshme që Shqipëria ka dhe një zonë që për hir të së vërtetës që u gjithë veriu e ka, pasionin për të ruajtur natyrën. E kanë në një nivel të rrallë dhe të paimagjinueshëm. Kanë një pasion për të ruajtur atë që quhet prona e tyre, vendi i tyre, trualli i tyre. Ky ka qenë një ndër udhëtimet më të bukura.

Pse mbyten pushuesit në bregdetet shqiptare, vrojtuesi i plazhit tregon arsyet

Luçjano Marku, vrojtues plazhi në Lezhë, ka treguar se paniku është arsyeja kryesore pse mbyten njerëzit në det. Ai ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku është shprehur se në zonën që ai mbulon, pra në bregdetin e Lezhës, njerëzit mbyten edhe për shkak të gropave dhe rrymave.

“Arsyeja kryesore se pse mbyten është paniku. Na ka rënë rasti ndonjëherë që mbyten grup familjarësh dhe vjen një moment që është instinkti i mbijetesës dhe nuk e llogarit fëmija, gruaja, babai dhe vetëm kush mundet me shpëtuar i pari sepse je në momentet e fazës së fundit të jetës së tyre dhe mundohen që të kapen dhe transportohen drejt bregut”, tha Marku.

Më tej ai shtoi se, “Numri i të mbyturve nga viti në vit po reduktohet dhe po zvogëlohet. Shëngjini vjet mbajti rekord pozitiv me zero të mbytur falë punës së çunave me dhjetëra të shpëtuar. Mbytja ndodh për dy elementë po flas për bregdetin e Lezhës. Një është plazh me gropa dhe ka rrymë. Personat zakonisht notojnë deri tek qafa ku ndihen të sigurt. Një moment hasin në gropë dhe kaq mjafton që t’i kapë paniku. Është e pamundur sepse deti është tërheqës. Ka ditë si kjo ditë, dallgët janë shumë të vogla, ndërsa rryma, imagjinoji janë mbi 30 vetë aty dhe ishte e pamundur me na tërheq me litarë. Kaq rryma të fortë që kemi në atë zonë. Ama në atë zonë punojnë çunat më guximtarë dhe më me vullnet që e përballojnë atë plazh”

Vrojtuesi i plazhit tregon si shpëtoi 10 persona nga mbytja në det

Luçjano Marku është vëzhgues plazhi në plazhin e Ranës së Hedhun në Lezhë. Ai ka folur gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan për pasionin e tij. Por ndër të tjera, Marku ka treguar edhe një nga momentet e vështira ku është dashur të shpëtojë rreth 10 persona nga mbytja. Bëhet fjalë për një ngjarje e cila për kohën u bë virale, ku edhe plazhistët tentuan të ndihmonin duke u lidhur dorë për dore për të tërhequr personat e rrezikuar.

“Ky është një nga momentet më të vështira që kam pasur. U bë një ndër videot më virale të kohës. Aty kemi nxjerrë atë ditë rreth 10 persona. Faktikisht ishte një ditë me një rrymë të jashtëzakonshme. Ishte e vetmja mënyrë që mund t’i nxirrnin. Rana e Hedhme ka një problem. Ka shumë rryma nënujore dhe aty kishte një rrymë të jashtëzakonshme nënujore. Është e pamundur të orientohesh në rrymë. Ishin 10 persona aty. Fillimisht ishte një familje, dy vajza dhe babai i tyre. U detyrova se të tre nuk mundesha t’i tërhiqja. U detyrova që t’i çoja te kufizueset që t’i kapja dhe t’i sillja një nga një. Në atë moment, një pjesë e shokëve të mi dhe rreth 5-6 pushues menduan që ishte e pamundur që të dilja dhe unë dhe pushuesit dhe u futën dhe këta brenda. Rryma i detyroi që të vinin tek kufizuesit. Jam detyruar që t’i nxjerr një nga një të gjithë personat atë ditë. Ka qenë një ditë vërtetë shumë e lodhshme. Aty ku jemi ne ishim 2 metra thellësi, ndërsa tek të tjerët është zonë e sigurt, por të gjithë janë të kapur me litar dhe dorë më dorë”, tha ai.

“Profesor Kovaku”, i ftuari i veçantë në studion e Opinion

Që në nisje të emisionit “Opinion” mbrëmjen e kësaj të mërkure, Blendi Fevziu paralajmëroi për një personazh të veçantë që do t’i bashkohej të ftuarve. Erdhi pak më vështirësi, me gjasë për shkak të dritave dhe të ftuarve të shumtë, por padyshim që Kovaku është vërtetë një i ftuar i veçantë. “Profesor” për kursantët e rinj, Kovaku vjen nga Instituti i Përgatitjes së Qenve. Ai është një pastor gjerman, 5 vjeç, i stërvitur për të zbuluar eksplozivin dhe armët.

Blendi Fevziu: Që ta dini, sa herë ka personalitete shqiptarë apo të huaj, që vijnë në studio televizive, Kovaku vjen dhe bën kontrollin e plotë për eksploziv… Sa i bukur, çfarë është, çfarë race?

Ilir Balla: Pastor gjerman. Racë e pastër.

Blendi Fevziu: Ka pasur një shkollë të plotë, nuk e di e kemi akoma.

Ilir Balla: E kemi akoma, dhe Kovaku është pjesë e asaj shkolle.

Blendi Fevziu: Sa qen kemi ne që i stërvisim?

Blendi Fevziu: Në Institutin e Përgatitjes së Qenve ka shumë qen që përgatiten, aty edhe mbarështohen qentë. I rrisim, i stërvisim dhe i nxjerrim në shërbim.

Blendi Fevziu: Sa është Kovaku, çfarë moshe ka?

Ilir Balla: Kovaku është 5 vjeç dhe është i përgatitur për eksploziv dhe armë.

Blendi Fevziu: Po si e dallon eksplozivin dhe armët?

Ilir Balla: Mënyrat e trajnimit janë të tilla që i dallon.

Blendi Fevziu: Është i trajnuar për atë punë? Se ka qen edhe kundër drogës…?  

Ilir Balla: Ka qen për gjetjen e lëndëve narkotike, kartëmonedhave.

Blendi Fevziu: Edhe kartëmonedhave? I gjen qeni?

Ilir Balla: Po.

Blendi Fevziu: Merr komanda?

Ilir Balla: Po sigurisht.

Dhe i udhëzuar nga eksperti, Blendi Fevziu i jep komanda dhe Kovaku i përmbush me përpikmëri….

Blendi Fevziu: Ku e përdorni?

Ilir Balla: Kovaku është qen që përdoret nga Instituti si mësim tregues për kursantët e rinj që vijnë.

Blendi Fevziu: A qenka profesor Kovaku?

Ilir Balla: Po.

205 lloje fluturash në Shqipëri, por cila është më e bukura dhe ku gjendet?

Biologia Anila Paparisto ka folur sonte në “Opinion” në Tv Klan për pasionin e saj të madh për natyrën. Teksa tha se natyra vazhdon ta emocionojë, Paparisto shpjegoi me detaje një atlas online të fluturave në territorin shqiptar. Ajo bashkë me grupin e saj të studiesve, thotë se ka shkuar në shumë vende të Shqipërisë ku kanë fotografuar lloje të ndryshme të fluturave dhe kanë zbuluar më shumë mbi veçoritë e tyre.

-Sa flutura ka Shqipëria, sa lloje?

Anila Paparisto: Shqipëria ka 205 flutura, nga të cilat 70 janë të rrezikuara në nivel europian.

-Cilat janë zonat në të cilat janë më të shtrira fluturat? Fluturat janë ndër gjërat më të bukura që natyra na ka dhënë.

Anila Paparisto: Kam sjellë dhe një hartë me pikat që kemi mbledhur. Është gati 80% e territorit të Shqipërisë që ne kemi shkelur.

Pra, klikon aty dhe ti gjen menjëherë secilën.

Anila Paparisto: Ti klikon dhe për çdo flutur të del harta ku gjendet, dalin me fotografi për t’i parë, dalin tiparet karakteristike të secilës.

-E keni shëtitur të gjithë Shqipërinë?

Anila Paparisto: Ne jemi një skuadër. S’mund të them se e kam shëtitur gjithë Shqipërinë, por jam përpjekur të shkoj në sa më shumë vende.

Sipas biologes janë 205 lloje fluturash në vendin tonë, e më e bukura prej tyre mban emrin “Danaus chrysippus” dhe gjendet më së shumti në zonën e Karavastasë.

-Kush është flutura më e bukur në territorin shqiptar?

Anila Paparisto: Kam sjellë një foto të “Danaus chrysippus”, është në Karavasta. Ndërsa një flutur tjetër, “Vanesa Atalanta”…

-Sa e bukur! Ku gjendet?

Anila Paparisto: Gjendet thuajse në gjithë territorin e Shqipërisë, është një flutur migratore. Është dhe “Parnasus Apollo” që është e katërta ose “Flokëbora e Apollos

-U sa e bukur! Kjo është e rrallë?

Anila Paparisto: Është e rrezikuar në mënyrë kritike në gjithë Europën./tvklan.al