Të ftuar: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Lorenc Vangjeli, Erzen Brecani, Plarent Ndreca, Mark Marku

Biondja me syze të zeza e OFL, Breçani: Ka thyer rregulloren e brendshme të policisë

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka deklaruar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” se efektivja e OFL, e cila del në deklaratat për mediat, ka thyer rregulloren e disiplinës.

Kjo sipas tij pasi nuk lejohet që të dalë para mediave dhe publikut me syze, detaj ky që ka tërhequr mjaft vëmendje, aq sa për të hulumtuar dhe për të zbuluar identitetin e saj.

“Nga ana ligjore, në asnjë mënyrë nuk lejohet që të publikohen identitetet e personave që kryejnë operacionet speciale, që janë Forcat Speciale të RENEA dhe Forca e Posaçme e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë dy forcat që lejohen të mbajnë maskë, por vetëm gjatë operacionit dhe pas operacionit.

Në asnjë mënyrë nuk fshihet identiteti i Forcave Speciale në media dhe në asnjë vend nuk e ka të shkruar me ligj që fshihet identiteti, vetëm gjatë operacioneve.

Për rastin konkret kjo ka thyer edhe rregulloren e brendshme të Policisë së Shtetit, rregulloren e disiplinës, sepse ka një zëdhënëse për shtyp…”.

Por argumentit të Breçanit i është përgjigjur avokati Plarent Ndreca, i cili shprehet se nuk është tamam kështu.

“ Ajo nuk është zëdhënësja e Policisë së Shtetit, por është zëdhënëse e operacioneve të ndodhura këto ditë, është pjesë e OFL, është punonjëse dhe është pjesë e operacionit”.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala e ka pyetur drejtpërdrejtë avokatin Ndreca se përse i mban syzet e errëta teksa del para mediave.

Të lutem, mund të na thuash se përse i mban syzet?”.

Sipas meje, duke qenë në orët e para në pjesën që ne me ligj i themi sekuestro emergjente, sigurisht që ka pasur një risk të shtuar për anëtarët e këtij operacioni për identitetin e tyre dhe në ato ditë është mbajtur kjo qasje publike”, u shpreh ai.

Kjo është të tallesh me publikun, sepse ju vetë e zbuluat identitetin”, ka replikuar Lala.

Opinion, Artan Hoxha: Kjo është fotoja e Ramës me Ardian Çapjan

Gazetari Artan Hoxha publikoi mbrëmjen e kësaj të enjteje një fotografi të Kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapja, një prej personave të përmendur në listën e Operacionit Forca e Ligjit. Sipas gazetarit, fotografia është bërë në kohën e fushatës zgjedhore në 2017-n.

Artan Hoxha: Jemi para fushatës së zgjedhjeve të 2017-s. Personi është i listuar në listën që ka publikuar OFL. Ky këtu është Ardian Çapja, kjo është faqja në Instagram e biznesit që ka ky personi. Ky këtu është Kryeministri i Shqipërisë. Në ndryshimet e ligjit, pika 14 thotë se çdo gjyqtar apo prokuror që konstatohet, apo shoqërohet me persona të dënuar apo nën hetim do të penalizohet dhe lë detyrën.

Blendi Fevziu: Po ai është politikan, atij mund t’i dalin 50 veta në rrugë, mund t’i thonë dalim ne fotografi.

Artan Hoxha: Zakonisht Edi Rama akuzohet se ka lidhje me Çelat, madje edhe ish-Kryeministri Berisha e ka akuzuar se ka favorizuar dhe ka lidhje me Çelat dhe i ka shfrytëzuar kur ka ardhur në pushtet. Çapjat janë akuzuar se kanë marrëdhënie me PD. Në datën 25 Nëntor, kur Kryeministri Rama prezantonte KÇK, ngjarja që ai iu referua, ishte ngjarja që kishte të bënte me lirimin e nipit të Ardian Çapjan, i cili u lirua 5 ditë më parë, në datën 20 Nëntor, nga gjyqtari Tomorr Kullolli i Elbasanit. Dhe Edi Rama atë ditë tha, ne nuk do të lejojmë më, që banditë, bosë të krimit të hyjnë me pranga në gjykatë dhe të dalin me duar në xhepa që në seancën e parë, kur për atë person dhe për atë grup shteti shqiptar ka 6 muaj që ka një person të penduar, i cili ka marrë pjesë në një vrasje ku janë varë dy persona, Gentian dhe Nezir Beqiri, babë e bir, që ishin në ruajtje nga Policia e Shtetit në vitin 2012 dhe ky person ka qenë bashkëautor i asaj ngjarjeje dhe shteti shqiptar, prokuroria i ka ofruar mbrojtje.

Blendi Fevziu: Po çlidhje ka me fotografinë?

Artan Hoxha: Prit… dhe Edi Rama thotë tek KÇK-ja atë ditë, ndërsa shteti i ka ofruar mbrojtje një personi të tillë për të luftuar krimin e organizuar, gjyqtari vete e liron këtë person. Dhe sapo del lista direkt ky person, i është lexuar emri dhe është thënë ekzaktësisht, ky person akuzohet që në bashkëpunim ka marrë pjesë në një seri vrasjesh, të ndodhura nga viti 2009 deri në vitin 2016. Këtij personi i janë bërë 2 herë atentate. Realisht ndaj tij nuk ka dënim mesa di unë, por në deklaratën që ka lexuar zëdhënësja e OFL, e ka përcaktuar qartë, që ky person dhe grupi shoqëror i tij, farefisi dhe pasuritë e tij janë objekt i ligjit.

Blendi Fevziu: Tani është person publik dhe politik, sa njerëz të kapin ty në rrugë dhe të thonë bëj fotografi. Ku e di unë, nuk i kërkoj dot pasaportën.

Gazetarja zbulon detaje për personin në foto me Kryeministrin

Gazetari Artan Hoxha publikoi mbrëmjen e kësaj të enjteje një fotografi të Kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapja, një prej personave të përmendur në listën e Operacionit Forca e Ligjit, një foto sipas tij e realizuar gjatë fushatës së 2017-s. Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala dha detaje rreth Ardian Çapjas.

Klodiana Lala: Ardian Çapja sipas Policisë së Shtetit konsiderohet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal.

Blendi Fevziu: Personi këtu?

Klodiana Lala: Është i njohur që nga viti 93-94, i ka mbijetuar disa atentateve. Në atë hotel (ku është realizuar fotoja) është shënuar masakra më e madhe e ndodhur ndonjëherë në qytetin e Elbasanit, me 3 të vrarë dhe 7 të plagosur.

Artan Hoxha: Afër, jo në hotel, hoteli është qëlluar me antitank dhe është autor i ngjarjes.

Klodiana Lala: Është një person që sipas policisë, ka një profil tejet të rrezikshëm kriminal dhe fakti që unë e shikoj përkrah me kryeministrin e vendit më bën të dyshoj shumë që ky operacion do të japë rezultate. E di pse? Do të preferoja në fakt që sot Policia e Shtetit, drejtësia shqiptare të më kishte dhënë përgjigje për krime që ka kryer Ardian Çapja për sa kohë e akuzon si drejtues të një bande që ka urdhëruar vrasje me pagesë. Do të doja që të gjithë anëtarët e bandës së Ardian Çapjas të ishin brenda qelive, sepse Florenc Çapja, për të cilin kryeministri është referuar, në fakt kanë zbarkuar dhjetëra forca të RENEAs, u bë një super operacion, super i kushtueshëm për buxhetin e shtetit dhe sot është i lirë.

Foto e Ramës me Çapjan, Ndreca: Në fushatë çdo politikan takon njerëz të ndryshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, duke komentuar foton Kryeministrit Edi Rama me Ardian Çapjan, person i përmendur në listën e OFL, nga studio e “Opinion” tha se çdo politikan në kohë fushate mund të takohet me njerëz të ndryshëm dhe jo gjithmonë e di se cili është personi në fjalë.

“Unë nuk e komentoj dot si zyrtar i shtetit sepse nuk është puna ime për të komentuar foton e një politikani si zyrtar i shtetit. Si qytetar e komentoj se çdo politikan, i cili në fushatë apo në takime elektorale, apo në takime partiake, apo në takime që i shërbejnë veprimtarisë së tij partiake dhe politike mund të takohet me këtë dhe jo gjithmonë ti e di se kush është”.

Sa i përket paketës antiKÇK, Ndreca tha se ndryshimi i saj me ligjin Antimafia është se nuk lidhet me kryerjen e një vepre penale.

“Ligji Antimafia me këtë akt, ka një ndryshim thelbësor. Të gjitha janë të lidhura me veprimtarinë penale. Ndërkohë ky akt është administrativ, i cili godet pasurinë dhe i rri prapa këtyre personave për të mos i lënë të qetë në gëzimin e pasurive të tyre. Ndryshimi është që ligji Antimafia lidhet me kryerjen e një vepre penale, ky nuk lidhet”.

Marku: “Anti-KÇK” shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut

Ish-deputeti dhe pedagogu Mark Marku thotë se “Anti-KÇK” shkel të drejtat dhe liritë themelore te personave që nuk janë të dënuar dhe u sekuestrohet pasuria në aksionet e OFL.

“Ky vendim shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, prezumimin e pafajësisë”.

Por nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, shprehet se kjo nuk qëndron pasi ata nuk hetohen për vepër penale por u kërkohet që të justifikojnë pasurinë.

Plarent Ndreca: Nuk hetohet ai për vepër penale.

Mark Marku: Po ti i bllokon pasurinë mo.

Plarent Ndreca: Patjetër.. dhe unë cënohem, deklaroj pasurinë…

Mark Marku: I cënon dy liri dhe të drejta themelore, lirinë e pronës… ne s’kemi të drejtë tu themi atyre kriminelë pse nuk i dënon gjykata.

Plarent Ndreca: E ke gabim, nuk është dënim ai… të drejtat e njeriut nuk janë absolute, janë relative. Në interes publik, në mënyrë proporcionale dhe… po më lër të flas se jam avokat dhe nuk gaboj në këtë pikë…

Mark Marku: Ti po flet si Prokuror jo si avokat, ti si avokat duhet t’i mbrosh ata. Si avokat ti duhet të thuash atë që them unë…

Plarent Ndreca: Po flas si profesionist, të jesh avokat nuk do të thotë që të mbrosh… mirë, mirë dakord, të drejtat nuk janë absolute po relative.

Mark Marku: Jo, ai është njëlloj si unë, në të drejtat themelore është njëlloj si unë.

Plarent Ndreca: Ore të drejta themelore janë të gjitha, por nuk janë absolute.

Mark Marku: Pse qenkemi ne burra më të mirë dhe atij i konfiskon pasurinë…

Florenc Vangjeli: Po je mo Mark burrë më i mirë se ai…

Mark Marku: Jo, ligjërisht nuk jam.

Blendi Fevziu: Stop tani se po ziheni kot…

Paralajmërimi i fortë i Vangjelit: OFL do të publikojë listën me emra shumë të njohur, do çuditeni

Analisti Lorenc Vangjeli ka paralajmëruar se brenda 10 ditësh, OFL do të publikojë një listë me emra të personazhve nga Tirana që do duhet të justifikojnë pasurinë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, ai u shpreh se janë emra shumë të njohur.

Fevzi, brenda 10 ditësh do të dalë një listë me personazhe nga Tirana, emra që do të çuditeni. Emra shumë të njohur, që të këshilloj të mos i lexosh, sepse do lodhesh, lista do jetë shumë e gjatë. Prit listën e Tiranës, do dëgjosh gjëra të tmerrshme….” /tvklan.al

Mjeket qe lane boten per Shqiperine!