Cilët mund të përfshihen në paketën e dytë ekonomike

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i ngarkuar nga qeveria edhe për koordinimin dhe drejtimin e punës për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia ka deklaruar këtë të enjte se punonjësit, bizneset e të cilëve janë ende të hapura, por nuk kanë xhiro për shkak të karantinës mund të përfshihen në paketën e dytë ekonomike.

Ahmetaj ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevziu ku u shpreh se shumë shpejt do të prezantohet edhe paketa e dytë.

Blendi Fevziu: Po bizneset që janë të hapura dhe për pasojë të karantinës janë zero në xhiron e tyre?

Arben Ahmetaj: Të gjitha këto kategori që nuk janë mbyllur drejtpërdrejtë nga qeveria por si konseguencë e mbylljes punonjësit e tyre kanë probabilitetin që të jenë tek paketa e dytë.

Ahmetaj theksoi gjithashtu se pagesat e sigurimeve do të paguhen në datat ekzakte dhe nuk do të shtyhen.

Blendi Fevziu: A janë të shtyra pagesat e sigurimeve për dy muaj?

Arben Ahmetaj: Jo nuk janë. Nëse do shtynim pagesat e sigurimeve që shkojnë rreth 7.9 miliardë Lekë në muaj i binte që ne të mos arrinim të paghuanim dot pensionet. Sigurimet do të paguhen në datat ekzakte.

Ahmetaj: Punonjësit në të zezë nuk do të marrin pagë

Koordinatori i ngarkuar nga qeveria për të përballuar situatën ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, Arben Ahmetaj është shprehur këtë të enjte se asnjë punonjës, i cili ka qenë paguar në të zezë nuk do të marrë pagën e luftës.

Ahmetaj tha gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se ky është një vendim i prerë i qeverisë. Sipas Ahmetajt, nuk dihet numri i punonjësve në të zezë dhe kjo gjë mund të çojë deri në mashtrime.

Blendi Fevziu: Çdo të ndodhë me punonjësit që kanë qenë paguar në të zezë? do të marri pagë lufte apo jo?

Arben Ahmetaj: Jo nuk do të marrin pagë lufte.

Blendi Fevziu: E prerë?

Arben Ahmetaj: E prerë. Mund të të bëj një pyetje. Sa kanë punuar në të zezë?

Blendi Fevziu: Këtë s’e di, por nuk mund të jetë numër i vogël.

Arben Ahmetaj: Faleminderit. Aq më tepër që nuk mund të jetë numër i vogël dhe mund të jetë një numër pa limit dhe këtu mund të jetë arsye mashtrimi.

Përballja Ahmetaj-Bekteshi, masat ekonomike që ka marrë Shqipëria dhe Maqedonia

Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ndihma ekonomike që do të përfitojnë qytetarët gjatë pandemisë, do të jetë 236 Euro, aq sa është paga minimale.

Ndërkohë që në vendin tonë, rroga minimale është 260 mijë Lekë të vjetra ose 190 Euro, sikurse u konfirmua nga ministri Arben Ahmetaj i ftuar në studion e “Opinion”.

Nga ana tjetër, rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut është 430 Euro, kurse në Shqipëri 410-418 Euro.

Kreshnik Bekteshi: Një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrësve ose punojnë me orar të shkurtuar, ose janë mbyllur. Sa i përket denarëve, 14.500 Denarë janë 236 Euro apo është paga minimale. Do të paguajmë të gjithë punonësit në sektorin real, dhe sipas projeksioneve të qeverisë do të përfshihen 250 mijë punonjës.

Blendi Fevziu: Ne paguajme vetëm 60 mijë, Maqedonia e Veriut paguan 260 mijë.

Arben Ahmetaj: Pak a shumë paketat janë të njëjtat. Instrumentet e garancisë furnizojnë të njëjtën logjikë dhe ndërkohë ne jemi vetëm tek paketa e parë. Paketa e dytë është në zhvillim e sipër.

Blendi Fevziu: Bekteshi, keni parashikuar një paketë për turizmin?

Kreshnik Bekteshi: Po, me siguri që po. Kemi parashikuar edhe fond për turizmin, vetëm se kemi ndarë rreth 2.5 milionë Euro të cilat do të jenë subvencione të drejtpërdrejta për të gjithë agjencitë turistike. Kemi ndryshuar edhe ligjin për veprimtari turistike.

Blendi Fevziu: Bekteshi, sa është buxheti vjetor i Maqedonisë?

Kreshnik Bekteshi: 3.9 miliardë Euro?

Blendi Fevziu: Sa është buxheti ynë z.Ahmetaj?

Arben Ahmetaj: Buxheti jonë shkon afërsisht te 4 miliardë Euro.

Blendi Fevziu: Rroga minimale në Maqedoni është 236 Euro, po rroga mesatare?

Kreshnik Bekteshi: Rroga mesatare është diku rreth 430 Euro.

Blendi Fevziu: Z.Ahmetaj, sa e kemi ne rrogën minimale dhe rrogën mesatare?

Arben Ahmetaj: 260 mijë Lekë të vjetra e kemi pagën minimale që i bie dikur 190 Euro, dhe rrogën mesatare ne na shkon tek 410 Euro, 418 Euro tamam se kemi bërë llogari përpara disa kohësh. /tvklan.al